zoom

Slider

Uzuni tregon “urdhrin” e trajnerit Sylvinho dhe ndalet te Granada: Shpallem lojtari i vitit

Myrto Uzuni është vetëm një pikë larg rikthimit në La Liga. Sulmuesi shqiptar po lë pas një sezon mbresëlënës, ku deri tani ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 6 asiste.

Futbollisti i kombëtares ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” në “RTV Ora”, në të cilin ka listuar edhe objektivat e tij për këtë sezon.

Uzuni është shprehur se dëshiron titullin kampion në La Liga 2, trofeun e golashënuesit më të mirë dhe çmimin si lojtari më i mirë i vitit në kampionat.

Sezoni në LA Liga II – “Kam bërë sezonin më të mirë në karrierën time deri tani. Biletat tona gjithnjë kanë qenë të shitura. Unë kërkoj gjithmonë fitoren, pasi shpallemi kampion. Nuk kënaqem me vendin e dytë. Bëjnë diferencën lojtarët individualë. Kjo na ka sjellë deri këtu. Në fillimet tona, kur ne ramë nga liga, 70% e lojtarëve u larguan. Jemi vetëm lojtarët me eksperiencë. Kisha oferta dhe kur biseduam më thanë që do jesh lideri jonë që do na udhëheqësh këtë vit. Kishim një trajner që s’kishte lojtarë në dispozicion për të formuar grupin”.

Ndryshimet në stafin teknik – “Trajneri i ri krijoi grupin e ri. Më parë luaja në krahun e majtë, ndërsa trajneri i ri më ka futur përpara në sulm, ku kam shpërthyer me gola”.

Golashënuesi më i mirë – “E kam pasur gjithmonë qëllim në vetvete. Kjo nuk është çështje fati. Kjo vjen me punë. Jam shumë krenar, pasi po marr atë që më takon. Dua të shpallem kampion me Granadën, të fitoj golashënuesin më të mirë dhe lojtarin më të mirë të vitit. Besoj se e meritoj, pasi jam lojtari që kam shënuar më shumë, kam krijuar më shumë raste dhe kam vrapuar më shumë këtu në kampionat”.

Kombëtarja – “Trajneri Sylvinho erdhi këtu me mister Zabaletën. Bënë një sakrificë, erdhën këtu në Granada. U ulëm, darkuam së bashku pas ndeshjes. Më uroi për ndeshjet dhe për punën e bërë. Më pa edhe live në ndeshje. Klubi i kishte thënë që nëse nuk ngjitemi, nuk do të jem një opsion për Kombëtaren. Sylvinho më tha: ‘Uroj që të kthehesh në La Liga. Bëj maksimumin që të ngjitesh që të mos kesh probleme as me Granadën, as me Kombëtaren dhe je i lirë për ne në qershor, pasi je një lojtar i rëndësishëm për mua’. Ky ishte komunikimi që kam pasur me trajnerin”, tha Uzuni. /zoom.al/