zoom

Aktualitet

Ushqimet e kontaminuara, ministrja Anila Denaj tallet me qytetarët (VIDEO)

Një video e postuar në rrjetet sociale nga gazetari Blendi Fevziu, i cili tregon nëpërmjet një pajisje se sa të kontaminuara janë disa prodhime bujqësore shqiptare, ia ka prishur qetësinë Anila Denajt.

Nga zyra e saj në Ministrinë e Bujqësisë, ajo ka kohë që nuk dëgjon as protestat e fermerëve nga Maliqi në Lushnjë, as ankesat e qytetarëve për sigurinë ushqimore. Rehatia e kolltukut në ndërtesën që, maksimumi dëgjon aktivitetet që mban Erion Veliaj në tarracën e bashkisë, iu prish kur Fevziu iu bashkua shqetësimit të qytetarëve që kanë vite që ankohen për ushqimet me hormone e pesticide.

Por në vend që të udhëronte AKU-në që t’i derdhte inspektorët në çdo treg, që të merrnin mostra për t’i analizuar, Anila Denaj ua la përgjegjësinë vetë qytetarëve. Lexoni se çfarë tha pas mbledhjes së qeverisë, pas një pyetje që dukshëm dukej se e priste e për të cilën ishte përgatitur:

“Do të kërkoja që të gjithë qytetarët, të gjithë aktorët që e ndihmojnë publikun, edhe media të na ndihmojne edhe ne që çdo produkt që mund te këtë indikacion për produktin jashtë standarteve të përdorura të shkojë dhe të certifikohet në ISUV dhe aty analiza të nxjerrë jo vetëm sigurinë ushqimore por mbi të gjitha të gjurmojmë se ku ndodh.”

Siç mund ta shihni të zezë mbi të bardhë, Ministrja e Bujqësisë u kërkoi qyetarëve që për çdo ditë, për çdo perim e frut që blejnë, të shkojnë në ISUV.

Kështu, sipas saj, duhet të bëjnë edhe mediat që kanë dyshime, ndërsa inspektorët e AKU duhet të vazhdojnë gjobëvënien si pjesë të parë të punës, në vend që të qëndrojnë non-stop nëpër tregje për të kontrolluar dhe garantuar qytetarët se ushqimet janë të sigurta.

Në vend që të kërkojë angazhimin e strukturave që ka në vartësi, ministrja e Bujqësisë tentoi të godiste besueshmërinë e disa pajisjeve që shërbejnë për matjen e nivelit të nitratit në fruta e perime.

“Përpara një vitit një debat i ngjashëm ka ndodhur me këto pajisje që nuk janë të njohura në fushën laboratorike. Por nuk mund të përjashtojme situata ku mund të kenë përdorim të plehrave jashtë parametrave. Vetëm laboratorët ISUV janë të licensuar ata të duhurit për të dhënë vlerësimin” – tha ajo.

Zoom.al kërkoi për këto pajisje në internet.

Ajo është e certifikuar nga disa institucione, përfshirë nga vende të Bashkimit Europian, siç tregojnë dokumentet e mëposhtme. Po ashtu, nga të gjitha kërkimet rezulton se ajo ka një saktësi prej 90%.

Duke parë të dhënat që ka kjo pajisje dhe nivelet e larta të nitratit që ajo ka zbuluar tek fruta -perimet, kresisht tek pjepri, çdo ministër Bujqësie në botë do ta kishte prishur rehatinë dhe do ta kishte ndryshuar çehren. E në vend që të përpiqej të ruante që të mos i lëviznin nervat e fytyrës, do të duhet të kishte thirrur me urgjencë në zyrë çdo drejtues e inspektor që ka në vartësi për t’u kërkuar llogari dhe prova se ushqimet që hanë shqiptarët, përfshirë edhe vetë atë, nuk kanë nivele stratosferike nitrati.

Në vend të kësaj, Anila Denaj tregoi se shqetësim kryesor ka karrigen. Sepse, nëse do të ngrinte alarmin siç do të duhej të bënte, do t’i nevojitej të gjente edhe zgjidhje për të. Dhe kur halli kryesor është karrigia, zgjidhjet janë gjithnjë të vështira. /Zoom.al/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Blendi Fevziu (@blendifevziu)