zoom

Aktualitet

U ngujuan pas vrasjes së biznesmenit, Nikulajt i falin dhe i “dorëzojnë” çështjen drejtësisë

Vrasja e biznesmenit, Ardian Nikulajt disa ditë më parë në Shëngjin solli edhe një herë në pah problemin e gjakmarrjes sipas Kanunit e cila në Shqipëri ka qenë një nga problematikat më të mëdha.

Pas vrasjes së 50-vjeçarit dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes ku më pas erdhi edhe arrestimi 4 prej 6 bashkëpunëtorëve të cilët arritën të përmbushnin me sukses urdhrin që kishin marrë nga porositësi, Edmond Haxhia.

Menjëherë pas ngjarjes familjarët e porositësit janë ngujuar nga frika për një hakmarrje nga ana e familjes së Nikulaj.

Burime bëjnë me dije se familja e Nikulaj ka hequr dorë nga Kanuni dhe gjakmarrja duke i falur ata. Kjo ka sjellë që ata t’i japin fund ngujimit.

Familja e të ndjerit ka vendosur ti japë fund gjakmarrjes duke u lënë në dorë drejtësisë ndëshkimin e autorëve që i morën jetën të afërmit të tyre.

Ata janë shprehur se i vetmi që do duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore është Edmond Haxhia.

Familja Nikulaj u ka kërkuar që të mos qëndrojnë të ngujuar dhe të vijojnë jetën e tyre normalisht.

Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë nën akuzë 6 persona.

Edmond Haxhia dyshohet se ka pasur rolin e organizatorit, shtetasi portugez ishte autori i krimit, ndërsa 4 shtetas britanikë akuzohen se kanë pasur rolin e informatorëve mbi lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Katër prej tyre janë vënë në prangat e policisë në Britaninë e Madhe dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre.

Vijojnë të jenë ende në arrati shtetasi portugez i dyshuar për vrasjen dhe 1 prej shtetasve britanikë.