Aplikacion
I riu Aurel Ndoni, po peshkonte në det, në momentin kur sipas rrëfimit të të vëllait ra në ujë javë më parë. I gjetur në brigjet kroate Aurel Ndoni, është përcjellë sot për në banesën e fundit në fshatin e lindjes, në Grabjan të Lushnjës, teksa lajmi konfirmohet zyrtarisht nga autoritetet, edhe pse trupi ishte gjetur ditë më parë.
Lajmin e njoftoi edhe babai i 40-vjeçarit Ndoni, teksa në muajin shkurt të këtij viti rrëshqiti në det. Trupi i tij ishte nxjerrë nga deti në brigjet kroate disa kohë më parë dhe qëndronte në morg i paidentifikuar.
Ditët e fundit një sinjalizim ka mbërritur pranë familjes së Aurelit dhe i vëllai së bashku me dajën e tij kanë shkuar drejt Kroacisë për të bërë identifikimin dhe sjellë trupin në atdhe. Mbrëmjen e fatkeqësisë, më 25 shkurt, deti ishte i trazuar dhe rrymat detare që kanë qenë të forta e kanë zhvendosur trupin e 40-vjeccarit drejt veriut, brigjeve dalmate.
Me të marrë njoftim policia kufitare dhe më pas polumbarët e RENEA-s u angazhuan në një operacion kërkim-shpëtimi. Edhe kur kërkimet zyrtare u ndërprenë, familja nuk reshti së kërkuari përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra deri në Kavajë, po pa rezultat deri ditën e djeshme kur trupi i tij u kthye në atdhe.
Sipas hetimeve paraprake të policisë vendore, Ndoni rezulton se ishte duke peshkuar së bashku me të vëllanë dhe një person tjetër dhe dyshohet se ka rrëshqitur duke rënë në ujë, por nuk ka mundur të dalë nga deti, pasi është tërhequr nga rryma. /ZOOM.AL/