zoom

Aktualitet

U gjend e pajetë në një kanal pranë “ByPass”-it të Shkodrës, flet motra e të ndjerës

Pas 3 javësh që rezultonte e zhdukur, shtetasja Leze Qosa u gjet e pajetë në periferi të qytetit të Shkodrës.

Policia ka nisur hetimet mbi vdekjen e saj të dyshimtë, pasi në trup 37-vjeçarja ka shenja dhune . Burimet për Zoom.al bëjnë me dije se pas autopsisë që është kryer në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ka rezultuar se Leze Qosa ka disa hematoma, por nuk janë ato që i kanë shkaktuar vdekjen.

Pistat ku po hetohet për zbardhjen e shkaqeve janë ose vetëhelmim i 37-vjeçares, ose vdekje natyrale.

Leze Qosa ishte larguar nga banesa në 8 maj të këtij viti dhe ishte e motra ajo e cila 10 ditë pas zhdukjes së saj vuri në lëvizje policinë.

Policia nisi disa kërkime, por pa rezultat, derisa pasditen e 31 majit një telefonatë i dha fund misterit të zhdukjes.

Një banor i zonës i tha Policisë se një person i pajetë ndodhet në një livadh në afërsi të “ByPass”-it të Shkodrës. Menjëherë pas kësaj telefonate, efektivët mbërritën në vendngjarje, duke nisur hetimet.

Nga këqyrja e trupit në një kanal në “ByPass”, efektivët konstatuan hematomat në trupin e 37-vjeçares, të cilat nuk dihet nëse janë shkak i vdekjes apo janë krijuar nga dekompozimi i avancuar i kufomës.

E gjithë ngjarja ende mbetet enigmatike, ndërsa motra e saj ka deklaruar se e ndjera vuante nga depresioni./ Zoom.al