zoom

Aktualitet

U bënte xhep udhëtarëve në stacionet e autobusëve urbanë, arrestohet “profesionisti” (EMRI)

Komisariati i Policisë Nr. 3 njoftoi sot se ka dokumentuar 4 vjedhje të kryera në stacione autobusi urban në Tiranë dhe arrestoi personin e dyshuar si përgjegjës për krimin.

“Shërbimet, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së portofolave dhe celularëve të tyre, në disa stacione autobusi, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”. Si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi Abdyl Peqini, 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje,”- tha policia.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 41-vjeçari u vidhte shtetasve të ndryshëm celularët dhe portofolat/kuletat në stacionet e autobusëve dhe në rrugëkalimet e këmbësorëve. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë ditëve të fundit, ka vjedhur 3 celularë dhe 1 portofol.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/