zoom

Aktualitet

U arrestua për shpërthimin në Lushnjë, dëshmia e sipërmarrësit Gjini: S’kam dërguar asnjë…

Sipërmarrësi Leonard Gjini, i cili ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit në pronësi të deputetit të PS-së, Bujar Çela, ku humbën jetën dy persona, është arrestuar nga policia vendore ditën e sotme, me urdhër të Prokurorisë së Fierit.

32-vjeçari akuzohet se ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Leonard Gjini ka deklaruar se nuk kishte dërguar asnjë punonjës në kapanonin e deputetit Çela dhe se nuk e kishte idenë çfarë punimesh po kryheshin. Sipërmarrësi ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me punonjësit që ndodheshin aty dhe po priste momentin kur objekti të ishte gati për fillimin e punimeve.

Ai ka dëshmuar se lidhi kontratën me deputetin socialist, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga shpërthimi, në datën 27 nëntor dhe është konfirmuar për fillimin e punimeve më 10 shkurt.

“Është pyetur shtetasi  shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur ne daten 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Cela ndërtim magazine e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023 Objekti kishte një vlerë prej 17963280 lek e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhje me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktë për të kryer punimë në këtë objekt”, thuhet në raport-dëshmi.

Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin që do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Uniformat blu raportuan se sipërmarrësi Leonard Gjini, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”, raportoi policia e Lushnjës.

Nga shpërthimi i cili ndodhi pasditen e 4 marsit humbën jetën baba e bir, Roland dhe Elidon Hoxha. Ndërsa mbetën të plagosur 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vetë deputeti. /ZOOM.AL/