zoom

Aktualitet

Turqia e kapi Rexhepin për llogari të Italisë, i dënuar me 20 vjet për narkotrafik në Firence!

Drejtësia italiane dënoi në muajin dhjetor të vitit 2022 në mungesë me 20 vite burgim pas pretencës së prokurorisë, Dritan (Gramos) Rexhepin, me akuzën e narkotrafikut, si kreu i “Kompania Bello”, kartelit shqipfolës që vepronte nga Amerika e Jugut. Ai është dënuar për trafikun ndërkombëtar të drogës mes Ekuadorit dhe Firences dhe akuzohet se ishte pjesëtar i një rrjeti ndërkombëtar të drogës.

Gjithashtu në media u raportua se akuzohet se “mbyti” Firencen me drogë. Më parë kishte edhe dosjet e arratisjeve nga burgu në Itali, vitet 2011 dhe 2013, para se të vendosej në Ekuador dhe cilësohej si mjeshtri i arratisjeve. Tani konfirmohet arrestimi në Turqi për hesap të Italisë, ku do ekstradohet fillimisht, teksa e kërkojnë Ekuadori, Anglia, Belgjika dhe gjithashtu Shqipëria.

Por gjykata rrëzoi akuzat e “supershoqatës” mes tre karteleve. Kartelet shqiptare importonin kokainë në Itali dhe veçanërisht në Firence, falë një rrjeti ndërkombëtar të lidhur midis Ekuadorit dhe Evropës.

Por hipoteza akuzuese e një “supershoqate kriminale”, e lindur nga një pakt mes klaneve, nuk qëndroi para gjyqtares së çështjes Silvia Romeo. Hetimet për këtë çështje kishin nisur që në vitin 2015 dhe çuan në sekuestrimin e 5 milionë euro e gjysmë dhe 4 tonë kokainë.

Ato ishin përqëndruar fillimisht në një qelizë fiorentine, ekzistenca e së cilës ishte zbuluar duke hetuar një episod në dukje të parëndësishëm në lidhje me një përleshje të dhunshme mes subjekteve të lidhura me shfrytëzimin e prostitucionit që shpërtheu në via delle Medaglie d’Oro, në Rifredi.

Kujtojëm se Rexhepi është i dënuar nga disa vende, për çështje të ndryshme penale, duke nisur nga trafiku ndërkombëtar i drogës, te vrasjet dhe arratisjet e bujshme nga burgjet. Pritet që edhe ministria e Drejtësisë shqiptare dhe Interpol Tirana, t’i dorëzojnë Stambollit dosjen për ekstradim, por duket se Italia do të jetë më e shpejtë. /ZOOM.AL/