zoom

Kosova

Trump uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar presidentes Vjosa Osmani një letër urimi për 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, të cilin e ka bërë publik Presidenca e Kosovës, presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e Trumpit.

Tutje presidenti amerikan ka theksuar se presin me padurim ndërtimin e një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm dhe për të vazhduar integrimet euroatlantike.

“Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Në fund të urimit, presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.