Aplikacion
“Unë po i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për të përfunduar punën, asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt nëse nuk bëni siç them unë,”- tha Trump në një postim të gjatë në platformën e tij “Truth Social”.
Kjo vjen vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin për pengjet.
Uashingtoni deri më tani ka shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me grupin dhe ka një politikë të gjatë të SHBA-së kundër të paturit kontakt të drejtpërdrejtë me entitetet që i liston si organizata terroriste.
Në postimin e tij në mediat sociale, Trump tha se Hamasi do të përballej me pasoja ferri nëse pengjet nuk liroheshin, ndërsa nuk specifikoi natyrën e mbështetjes që po i dërgonte Izraelit.
“Lërini të gjitha pengjet tani, jo më vonë dhe kthejini menjëherë të gjithë trupat e pajetë të njerëzve që keni vrarë, ose gjithçka mbaron për ju. Për drejtuesit, tani është koha për të lënë Gazën, ndërsa ju keni ende një shans,”- shtoi ai.
Trump u tregua i ashpër edhe me civilët. “Gjithashtu, për popullin e Gazës: Një e ardhme e bukur ju pret, por jo nëse mbani pengje. Nëse e bëni, ju jeni të VDEKUR!”- shkroi ai.
Nuk është hera e parë që Trump kërcënon Hamasin. Në dhjetor ai paralajmëroi të njejtën gjë.
Postimi erdhi pasi Trump u takua me një grup pengjesh në Shtëpinë e Bardhë, të cilët ishin liruar së fundmi sipas armëpushimit.
Ndërkohë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt konfirmoi se SHBA ka negociuar drejtpërdrejt me Hamasin në përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve./ Zoom.al