zoom

Aktualitet

Tritoli në Elbasan kishte shenjestër dy motrat nga Lezha. Lidhja e njërës me vrasësin me pagesë

Nga shpërthimi i tritolit në një banesë në Elbasan një ditë më parë, dy motrat, të cilat jetonin me qira nuk pësuan lëndime.

Për fat të keq, mbeti i plagosur fqinji i tyre 26-vjeçar, i cili banonte përballës hyrjes së tyre, por vala e shpërthimit ishte e fortë sa që rrëzoi derën e apartamentit të tij.

Ndërkohë, deri tani policia dhe prokuroria kanë ngritur dy pista hetimi, që kanë të bëjnë me një konflikt të mundshëm të njërës prej vajzave, e cila besohet të ketë qenë shënjestër. Por grupi hetimor ka ngritur dyshime edhe mbi të shkuarën e pronarit të banesës.

Lidhja me të dyshuarin si vrasës me pagesë

Vajza e cila dyshohet të ketë qenë shënjestër, Xhovana Nikolli, së bashku me motrën dhe mbesën e saj, ishte larguar nga Lezha dhe ishte vendosur në Elbasan, pas arrestimit të partnerit të saj, Amarildo Nikolli, i penduar i drejtësisë për disa ngjarje të dyshuara kriminale.

Dyshohet se ai është një vrasës me pagesë, i njohur me nofkën “Shkodrani” dhe ndodhet në qeli për atentatin e planifikuar ndaj Inez Hajrullës në gusht 2023 në Vlorë.

Hetimet

Sipas burimeve, pak ditë para shpërthimit me lëndë plasëse, ajo ka shpërndarë një video live duke folur mbi të dashurën e të penduarit tjetër të SPAK, Nuredin Dumani.

Mes të tjerash, me tone kërcënuese, Xhovana Nikolli i thotë: “O Nuredin Dumani, të bëj thirrje ta mbash të dashurën tënde ti, se po ta kapa këtu nëpër Itali se ke idenë ça mund t’i bëj…”.

Burimet bëjnë me dije se ajo bashkë me motrën e saj kanë qenë në banesën e saj në momentin e sulmit. Para policisë së Elbasanit nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim duke u shprehur e rezervuar.

Pistë tjetër ku po heton policia janë konfliktet që mund të ketë pronari i banesës, Besnik Braka i cili rezulton me precedentë penal. Më parë atij i është vrarë dhe një vëlla. Mban dhe emrin Nik Vojaçek.

Nga shpërthimi i tritolit u lëndua fqinji i dy vajzave, i cili ishte zgjuar nga zhurmat kur ndodhi ngjarja dhe e zuri dera e banesës poshtë. I riu ndodhet në intubim në Spitalin e Traumës.

Jeta e reklamuar në rrjetet sociale

Xhovana Nikolli është mjaft e njohur në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale, kryesisht Tik Tok, e cila pavarësisht çdo përfshirjeje të partnerit të saj në ngjarje kriminale, nuk është zmbrapsur aspak të reklamojë jetën luksoze mes festave të pafundme me shishe shampanje, pushimet në restorte me pesë yje, dhurata të çantave të markave më të shtrenjta e tufave gjigante me trëndafila.

Jo të paktat herë kanë qenë rastet kur dyshja përfshiheshin dhe në sfida të ndryshme në Tik Tok, përmes të cilave përcillnin frymën e dy të rinjve adoleshentë.

Xhovana, edhe pse Nikolli është në qelinë e burgut 313 në Tiranë, ka gjetur mënyra të ndryshme për t’i qëndruar pranë të dashurit të saj, duke dërguar dron gjatë momentin që ishte në ajrim, apo dhe duke shkuar në burgun e 313 e veshur si nuse, video të cilat janë edhe në profilin e saj në Tik Tok.

Postime të lidhura