zoom

Lajme

Tritoli ndaj gjyqtarit dhe burri i ministres, Salianji: Policia ka dështuar, bashkëpunon me krimin!

Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Ervin Salianji, në fjalën e tij në Komisionin e Sigurisë pasditen e sotme, ka komentuar ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku gjyqtarit Tonin Stërkaj iu vendos tritol në banesë, me motiv për shkak të detyrës sipas hetimeve të deritanishme.

Salianji theksoi se Policia e Shtetit ka dështuar, duke shtuar se krimi shënjestron edhe magjistratët. Rendi dhe siguria janë cenuar sipas tij dhe shkalla e kriminalitetit mbetet e lartë.

Autori i vendosjes së tritolit i kapur nga kamerat, nuk është identifikuar dhe ndaluar ende, teksa besohet se pas tij qëndron ndonjë organizatë kriminale.

Deklarata e Ervin Salianjit:

“Ky krim ka ndodhur në një qytet, ku bandat konkurrojnë me njëra-tjetrën për të emëruar shefat e policisë. Këtë e kemi parë në përgjime. Drejtuesi i SPAK konfirmon edhe sot se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë të lidhur me krimin dhe ne nuk bashkëpunojmë dot me ta, për shkak të lidhjeve me grupet e krimit të organizuar.

Ka ndodhur në Shkodër, ku njëra bandë kapte shefin e komisariatit, banda tjetër kapte shefin e krimit për t’ju shërbyer jo qytetarëve, por banditëve. E të dyja bandat bashkë pastaj bashkëpunonin për të bërë vota për PS-në. Ky është shqetësim thelbësor, që kanë qytetarët sot në raport me sigurinë e tyre, se kur arrin të preket një gjyqtar i Republikës, çfarë ndodh me të tjerët.

Ligji në këtë vend nuk është i barabartë për të gjithë. Është në përgjegjësinë morale të ministrit të japë dorëheqjen ose jo, është në përgjegjësinë e kryeministrit ta shkarkojë ministrin ose jo, por pa diskutim me përgjegjësi ligjore ngarkohet Policia e Shtetit. Po i ngulet gozhda ligjit dhe shtetit. Po zhvishet fuqia e ligjit përballë njerëzve me pushtet. Ngjarja u mbajt e fshehur për muaj me radhë dhe kjo është përgjegjësi e policisë. Nasip Naço, mos u sill në Komision si kryetar kooperative”. /ZOOM.AL/