Aplikacion
Hetimet zbuluan se veprimet dokumentare dhe proceduriale ishin të paligjshme, duke investiguar edhe zyrtarë të lartë, pasi zona ishte ushtarake dhe strategjike.
Dy kompanitë në emër të të shoqërisë “Marina Bay Saranda”, të drejtuara nga Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku, mësohet se kanë bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese të vendimeve të tre shkallëve. E fundit ishte Gjykata e Lartë, që rrëzoi rekursin e dy biznesmenëve, duke lënë në fuqi vendimet e GJKKO dhe kërkesën e SPAK për sekuestro.
Ja çfarë thuhet në njoftimin procedurial të rastit në Kushtetuese:
“Shoqëria Marina Bay Saranda/
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Avokatura e Shtetit.
“Shfuqizimin e vendimeve gjyqësore nr. 00-2023-1001, datë 15.06.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, nr. 09, datë 03.04.2023 të Gjykatës së Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nr. 91, datë 24.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. 29 Tetor, 2024- Ora 10:00”.
Pra avokatët kanë depozituar ankimimin pas dështimit të rekursit dhe seanca pritet të mbahet në tetor për shqyrtim.
Më herët ka qenë GJKKO që në muajt shkurt dhe prill të vitit 2023, kishin miratuar sekuestron dhe më pas më 15 qershor ishte Gjykata e Lartë që rrëzoi rekursin e kompanisë “Marina Bay Saranda”.
Për këtë çështje janë hetuar dhe marrë në pyetje gjithashtu edhe shtetarë të lartë, përfshi presidentin Bajram Begaj që kur u kryen procedurat ishte Shef i përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe deri atë të Infrastrukturës, Belina Balluku dhe ish-shefin, deputetin aktual të PS, bardhyl Kollçaku.
Pasi ata kanë pasur dijeni, sigluar dokumente apo firmosur rreth kësaj çështjeje dhe u hetua nëse ishin të përfshirë apo se çfarë dinin për procedurën abuzive ligjore.
Historiku i hetimeve, sekuestrimit dhe procesit gjyqësor
Në mars 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të SPAK, vendosi sekuestrimin e “Bazës Ndihmëse të Limionit, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare.
Deri në vitin 2020 baza detare ishte pronë e ushtrisë shqiptare. Në korrik të atij viti qeveria miratoi një VKM për t’ia dhënë me qira kompanive të dy biznesmenëve të njohur, “Concord Investment” sh.p.k. e Artan Dulakut dhe “Kastrati Group” sh.a. e Shefqet Kastratit, të bashkuara në shoqërinë “Marina Bay Saranda” shpk.
Qirana ishte për 265,000 metër katrorë tokë, në një prej zonave më fitimprurëse të Sarandës, për të ndërtuar një kompleks vilash, hotelesh dhe një port turistik jahtesh për ankorimin e 400 mijë anijeve.
GJKKO kishte arsyetuar se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare. “Marina Bay Saranda” e apeloi vendimin e GJKKO në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por e humbi çështjen. Më 16 maj shoqëria iu drejtua Gjykatës së Lartë, por edhe këtu humbi.
Kallëzimi penal dhe investigimi
Kallëzimi në SPAK për këtë koncesion u bë nga ish-Zv.Komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, me argumentin se dhënia me qera është bërë në shkelje të ligjit, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
“Pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes. Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”, saktësonte Meçollari në padinë e tij. /ZOOM.AL/