zoom

In Zoom

Transport publik falas, premtimi i Belind Këlliçit që ka zënë ngushtë Erion Veliajn

Pak ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi bëri një nga premtimet më të rëndësishme të fushatës së tij elektorale dhe që prek thuajse të gjithë popullsinë mbi 7 vjeç.

Bëhet fjalë për premtimin e tij se nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës do ta bëjë transportin publik falas për të gjitha moshat dhe kategoritë.

“Përpara jush dua të jap një nga premtimet kryesore të fushatës sime. Me Belind Këlliçin në krye të Bashkisë Tiranë trasporti publik për të gjithë qytetarët e Tiranës do të jetë falas.
Duke i mundësuar minimalisht 200 mijë qytetarëve të Tiranës, të rinjve, të moshuarve, atyre që janë me ndihmë ekonomike që nuk e kanë mundësinë ta përballojnë transportin publik, duke ia mundësuar këtë shërbim çdo qytetari të Tiranës, pa asnjë dallim dhe pa asnjë paragjykim,”- tha Këlliçi duke qendruar në krah të Sali Berishës, si për t’i dhënë një garanci më të madhe qytetarëve të Tiranës se bëhet fjalë për një premtim që do të bëhet realitet edhe me mbështetjen e qeverisë qendrore nesër kur e djathta të vijë në pushtet.

Natyrisht që nuk bëhet fjalë për një premtim thjesht dhe vetëm elektoral, por për një propozim të mirëmenduar.

Kjo pasi Këlliçi theksoi se kostoja e bërjes realitet të këtij premtimi do të përballohet me paratë që do të përfitohen nga prishja e kontratës për inceneratorin e Tiranës.

“Me të drejtë më kanë pyetur se ku do të gjenden paratë. Fare e thjeshtë, ju jap vetëm një llogari. Inceneratori të dashur miq është një aferë shumë e madhe. Qytetarët e Tiranës paguajnë çdo ditë 80 mijë euro në ditë për pastrimin e qytetit dhe për këtë proces i cili i merr 41 mijë euro qytetarëve për një shërbim që nuk kryhet. Belind Këlliçi paratë nuk do t’i çojë tek inceneratori por do t’ia kthejë shërbimit ndaj qytetarëve dhe qytetit. Ato miliona euro që shkojnë në xhepat e pushtetarëve nuk do të shkojnë më në atë destinacion,”- tha me të rinjtë kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

Gjithashtu ai ka sqaruar se një veprim i tillë do të nxisë më shumë qytetarë që të heqin dorë nga qarkullimi me makina duke ulur trafikun e ngarkuar në rrugë, do mbrojë ambientin e shëndetin dhe do t’u kursyejë kohë e para qytetarëve.

Veliaj nën presion

Ky premtim duket se ka prishur rehatinë e deritanishme të kryebashkiakut aktual të Tiranës, Erion Veliaj, i cili në këto zgjedhje synon një mandat të tretë për t’u bërë kryebashkiaku i dytë me tre mandate në kryeqytet.

Pavarësisht pozitave komode që i kanë dhënë sondazhet deri më tani, ai duket se ndjen presionin se një premtim i tillë mund të kthejë fatet e lojës elektorale në Tiranë.

Kjo duket në një fushatë dezinformimi që kryebashkiaku dhe makineria e tij elektorale ka ndërmarrë ditët e fundit ndaj këtij premtimi. Rasti më i fundit ishte këtë të mërkurë, teksa prezantoi linjat e shpejta të transportit publik në Tiranë. Në fjalën e tij gjatë këtij takimi, ai më shumë u përqendrua te premtimi i Këlliçit dhe për të treguar se ai ishte populist dhe i parealizueshëm sesa tek risitë që do të sjellin linjat e shpejta në kryeqytet.

“Transporti urban ka qenë në vëmendje të debatit publik edhe prej populizmit, edhe për faktin se fushata po afron – tani jam duke pritur kur do fillojnë avionët dhe trenat falas, por nuk e di nëse po flitet me Elon Musk që edhe SPACE X të japë udhëtime falas për të gjithë votuesit në Shqipëri. Por, të gjithë e kuptojmë se nga ‘kali blu’ vetëm propozime të tilla mund të priten! Kur sheh kalin që vjen në Tiranë, kujtohesh që i kemi dëgjuar këto përralla edhe më parë, por ky është momenti për të bërë një bisedë serioze. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme”, tha Veliaj.

Jo vetëm kaq, por makineria e tij elektorale prej ditësh është angazhuar në një fushatë delegjitimuese të këtij premtimi.

Mediat pranë qeverisë dhe kryebashkiakut Veliaj publikuan dy ditë më parë copëza të një studimi të bërë nga ekspertë gjerman dhe të bashkisë dhe që tregon sipas tyre se transporti publik falas nuk është një zgjidhje që mund të realizohet në Tiranë. Dhe për këtë ata sillnin pretendimin se realizimi i këtij premtimi në Tiranë kërkon më shumë se 100 milionë euro të cilat bashkia nuk i ka.

Qytetet me transport falas

Në një përpjekje për të reduktuar ngrohjen globale, për të kompensuar kostot në rritje të karburantit dhe për të ulur ndotjen, gjithnjë e më shumë vende, qytete dhe rajone në Europë po e bëjnë transportin publik falas.

Gjashtë vjet më parë, kryeqyteti i Estonisë, Talin, votoi në një referendum pro futjes së transportit publik falas.

Gjithçka që njerëzit duhet të bënin ishte të regjistroheshin si banor i qytetit dhe të paguanin 2 euro për një “kartë të gjelbër”. Megjithatë, vizitorët nga vende të tjera të Estonisë apo turistët duhet të paguanin për të përdorur rrjetin e autobusëve, tramvajëve dhe trenave. Skema ka rezultuar aq popullore, saqë qeveria e Estonisë po planifikon të prezantojë shërbimin e udhëtimit falas me autobus në të gjithë vendin.

Ndërkohë që Luksemburgu është vendi i parë në botë që ofron transport publik falas në mbarë vendin. Në Luksemburg askush nuk ka më nevojë që të blejë një biletë për të përdorur rrjetin e transportit publik të këtij vendi. Kjo vlen edhe për udhëtarët ndërkombëtarë dhe turistët e huaj.

Transportit publik falas për të gjithë është një hap i madh për shoqërinë, tha ministri i Transportit Francois Bausch, duke shtuar se “qeveria dëshiron që Luksemburgu të bëhet një laborator për lëvizshmërinë”.

Me një popullsi që është rritur me 40% në dy dekadat e fundit, rritja e përdorimit të transportit publik do të ndihmonte në shmangien e trafikut në rrugët e Grand Duchy.

Autobusët, trenat dhe tramvajet e ndryshme publike të vendit financohen nga taksapaguesit.
Malta është një tjetër vend që synon që ta bëjë transportin publik falas për të gjithë.

Qeveria e Maltës e njoftoi këtë plan që në tetor të vitit 2021. Një nga qëllimet e nismës është që të dekurajojë banorët nga përdorimi i makinave.

Edhe në Maltë, programi financohet nga taksapaguesit. Banorët e Maltës duhet të aplikojnë për një biletë speciale që u jep të drejtën të përdorin autobusët dhe trenat falas. Edhe turistët mund të regjistrohen për këtë biletë.

Ndërsa shtete si Luksemburgu dhe Malta po e bëjnë transportin publik pa pagesë, edhe disa qytete dhe bashki kanë filluar të ndërmarrin nisma të tilla. Një rast është qyteti francez të Dunkirk. Nisma për të ofruar autobusë dhe trena falas solli një reduktim të trafikut. Që nga viti 2018, banorët mund të udhëtojnë falas me transportin publik.

Një studim i kryer disa muaj pas kësaj nisme zbuloi se ajo kishte ndikuar në dekurajimin e vendasve për përdorimin e makinave të tyre. Edhe pse dy të tretat e të anketuarve thanë se më parë ishin të varur nga makinat e tyre, më shumë se gjysma deklaruan se tani po përdornin rregullisht autobusët për të lëvizur. Rreth 5% madje deklaruan se transporti publik falas i bëri ata që të shisnin makinën e tyre ose të mos blinin një automjet të dytë.

Qyteti i Avesta në Suedi ka 8 vjet që përdor rrjetin e transportit publik falas. Që kur sistemi i transportit u bë pa pagesë, shërbimet e autobusëve janë rritur me 200%.

Jo vetëm në Europë, por edhe përtej oqeanit shumë vende po e përqafojnë nismën e transportit falas, si një mundësi për të ulur ndotjen dhe për t’i bërë qytetet më të jetueshëm. Një prej tyre është Chambly dhe komunat e tjera në Bregun Jugor të Montrealit, të cilat kaluan në ofrimin e transportit publik falas për banorët që nga viti 2012. Ky shërbim jo vetëm që ndihmoi në reduktimin e mbipopullimit në rrjetin rrugor, por gjithashtu reduktoi emetimet e gazeve serrë Kjo nga ana tjetër ndihmoi në inkurajimin e shumë njerëzve që të udhëtonin me transport publik.

Pse transporti falas?

Disa argumentojnë se transporti publik duhet të jetë falas, ashtu si shkollat, parqet dhe libraritë. Kjo është pozitive edhe për vetë qytetet pasi lehtësimi i lëvizjes së njerëzve nxit aktivitetin tregtar.

Sipas Bashkisë së Talinit, transporti publik falas i shërben kryesisht atyre me të ardhura të ulëta, por inkurajon edhe grupet me të ardhurat të larta t’i shpenzojnë paratë që kursejnë nga transporti në restorante, kafene dhe dyqane.

Përdorimi i transportit publik u rrit me 14%, por ai i makinave u ul me vetëm 5%. Ndryshimi më i madh preku qytetarët që lëviznin në këmbë, 40% e të cilëve zgjodhën të përdornin autobusin.

Të rinjtë, të moshuarit dhe personat me të ardhura të pakta ose pa punë u bënë përdorues më të shpeshtë të transportit publik. Ndërkohë, personat me të ardhura më të larta zgjodhën të shmangin transportin publik për të evituar mbipopullimin dhe për të ruajtur imazhin e tyre.

Çfarë e pengon Veliajn

Por kur kemi kaq shumë raste të suksesshme dhe benefite të mëdha që sjell një transport publik falas, çfarë e pengon kryebashkiakun Erion Veliaj që ta aplikojë vetë i pari këtë ide?

Natyrisht që lekët nuk bëhet fjalë të jenë një pengesë në këtë drejtim. Kjo pasi një ditë më parë ai bëri të ditur se vetëm për kthimin e tre linajve të urbanëve ne linja të shpejta do të investonte rreth 50 milionë euro, pra gati gjysmën e lekëve që do të kërkonte zbatimi i propozimit për transport tërësisht falas.

“Duam që të investojmë mbi 50 milion euro në lëvizjen e shpejtë të transportit publik, në këto 3 linja, pra në këto korsi të dedikuara”, u shpreh Veliaj në fjalën e tij.

Nuk dihen arsyet sepse Veliaj nuk e ka realizuar vetë i pari këtë gjë, por opozita e ka akuzuar se ai ia ka dhënë licensat linjave urbane në Tiranë klientëve të tij, si kompanisë “Ferlut” të Ferdinant Ibrahimit, i arrestuar edhe për falsifikim të biletave, kompanisë “Shega Trans”, apo edhe disa kompanive të tjera./ Zoom.al