zoom

Politikë

Tragjedia e Gërdecit, dosja e Fatmir Mediut kalon në SPAK

Dosja për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu ka kaluar në SPAK. Prej disa ditësh, Gjykata e Lartë ka çuar dosjen e Mediut në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion.

Kalimi është bërë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rihapjen e gjykimit ndaj ish-ministrit për çështjen “Gërdeci”. Tashmë SPAK duhet të veprojë duke regjistruar hetimin, për të vendosur nëse do kryejë hetime shpesë apo do e çojë çështjen në gjykim themeli.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale:

“Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediu me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet.

Postime të lidhura