zoom

In Zoom

Trafiku i Tiranës, një kaos i përditshëm dhe një emërim i dyshimtë në krye të Policisë Rrugore

Pyet këdo – Trafiku në Tiranë është kaotik, i bezdisshëm si në asnjë vend tjetër, një rrëmujë e pashpjegueshme që zor se do të mund ta bënte dikush me plan, po ta kishte në dorë. Këtë do të të thonë. Ky është zakonisht thelbi i përgjigjes që të vjen nga çdo përdorues makine, trasnporti publik apo këmbësor.

Tirana është një qytet ku kaosi rrugor është kthyer në një përditshmëri të lodhshme për çdo banor. Trafiku është i rënduar në çdo orë të ditës, por në mënyrë të veçantë gjatë mëngjesit dhe pasditeve kur arterietkryesore bllokohen nga makina, autobusë, motorë dhe këmbësorë që përpiqen të lëvizin mes një organizimi thuajse inekzistent.

Drejtues makinash që kërkojnë të kalojnë ngado, edhe aty ku nuk munden, edhe aty ku përbën shkelje, edhe aty ku janë të vetëdijshëm që po bllokojnë dhjetëra në mos më shumë makina të tjera.

Por një ndër faktorët kryesorë që e përkeqëson këtë situatë është pikërisht ajo që duhet ta rregullojë: Policia Rrugore.

Policë të paaftë, nuk e njohin as vetë Kodin Rrugor

Shumë efektivë të Policisë Rrugore shpesh tregojnë një mungesë alarmante të njohurive mbi Kodin Rrugor. Ka raste të shumta kur policët ndalojnë shoferët pa arsye të qartë, madje duke cituar rregulla të pasakta. Shoferët shpesh ndihen të pasigurt, sepse përballen me efektivë që as nuk dinë ta interpretojnë saktë ligjin dhe rregullat e qarkullimit, të cilët, në vend që të ndihmojnë, i komplikojnë më shumë gjërat. Po të ritestohen për marrjen e patentës, pjesa dërrmuese e tyre me gjasë nuk do ta kalojë provimin e teorisë.

Shpesh ata ndalojnë makina në mes të rrugës, duke krijuar bllokime të panevojshme dhe injoruar se po bëhen shkaktarë që që kaosi të përkeqësohet. Ajo që dinë të bëjnë më mirë janë gjobat.

Janë jo të pakta rastet kur efektivët futen mes trafikut pa asnjë plan, duke krijuar konfuzion dhe duke bërë që situata të përkeqësohet në vend që të përmirësohet. Për më tepër, nuk mungojnë as ngjarje ku  ata sillen në mënyrë arrogante dhe përçmuese ndaj qytetarëve, duke shpërfillur çdo formë të komunikimit etik dhe profesional.

Një nga pamjet më të zakonshme në Tiranë janë policët rrugorë që drejtojnë trafikun në kryqëzimet kryesore kur semaforët funksionojnë normalisht. Në vend që të ndihmojnë, ata shpesh krijojnë një situatë edhe më tëngarkuar, duke sinjalizuar shoferët në mënyrë të paqartë dhe kontradiktore me dritat e semaforëve. Shoferët nuk dinë kë të ndjekin, çka çon në tension dhe kaos të plotë në rrugë.

Një tjetër fenomen që policia rrugore e Tiranës nuk po e çrrënjos dot, ndonëse herë pas herë drejtues të ndryshëm i kanë dhënë goditje të fortë, është rryshfeti. Nuk është sekret që shumë efektivë të Policisë Rrugore shohin rastin për të përfituar personalisht kur ndalojnë dikë që ka shkelur një rregull. Qytetarë të shumtë janë vetë dëshmitarë të këtyre skenave.

Në vend që të ndëshkojnë sipas ligjit, ata shpesh i ofrojnë shoferëve “zgjidhje alternative”, duke marrë para në mënyrë të paligjshme dhe duke e kthyer këtë fenomen në një rutinë të zakonshme. Ky është një problem që jo vetëm dëmton integritetin e institucionit, por edhe inkurajon shkeljet e rregullave, pasi njerëzit e dinë se mund të shpëtojnë me një “pagesë të vogël nën dorë”.

Shefi i Policisë Rrugore, një emërim i dyshimtë

Një tjetër aspekt shqetësues është mënyra se si emërohen drejtuesit e Policisë Rrugore, pasi kjo ndikon thelbësisht në cilësinë e punës së këtij sektori. Sipas disa raportimeve në media, shefi aktual i komisariatit të Policisë Rrugore, Roven Zeka, është emëruar në këtë detyrë vetëm për shkak të miqësisë me Drejtorin e Përgjithshëm, Ilir Proda dhe jo për meritë apo për eksperiencë personale. Ka të dhëna (ende të paverifikuara) se ai ka qenë shofer i Prodës dhe është shpërblyer vetëm për shkak të shërbimeve ndaj tij.

Ky fenomen i emërimeve klienteliste vetëm sa përkeqëson situatën, pasi njerëzit që duhet të menaxhojnë trafikun dhe të sigurojnë rendin rrugor nuk kanë as përvojën dhe as aftësitë e duhura për ta bërë këtë punë siç duhet.

Disa nga zonat më problematike të trafikut në Tiranë

– Zogu i Zi, ish-Blloku, Rruga e Elbasanit, Unaza e Vogël, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Unaza, Unaza e Madhe, Fresku, thuajse të gjitha hyrje-daljet e Unazës së Madhe.

Tirana ka ende një rrjet të vjetëruar rrugor, i cili, kur është ndërtuar, nuk është projektuar për një fluks kaq të lartë makinash.

Por nëse sinjalistika do të ishte ajo e duhura dhe nëse Policia Rrugore do të funksiononte me profesionalizëm,trafiku do të ishte shumë më i menaxhueshëm.

Të paktën, nëse këto ndryshime nuk ndodhin, trafiku në Tiranë do të vazhdojë të jetë një makth, ndërsa Policia Rrugore do të mbetet një strukturë e paaftë për të bërë ndryshimin. /Zoom.al

Postime të lidhura