zoom

Aktualitet

Trafikonte armë nga Maqedonia për t’i shitur në Shqipëri, pranga 33-vjeçarit nga Prrenjasi (Emri)

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi akuzohet se trafikonte armë nga Maqedonia e Veriut. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra Shaqir Çela.

Burime zyrtare thanë se zhvilluan operacionin e koduar “Border Crossing”, teksa armët futeshin që nga vendi fqinj, për tregun e zi shqiptar.

U sekuestrua 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu, teksa 33-vjeçari Shaqir Çela, nga Prrenjasi, dyshohet se ka trafikuar armët nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohet se trafikonte armë nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Border Crossing”.

Gjatë operacionit, në fshatin Skroskë, u lokalizua shtetasi Sh. Ç., i cili kishte me vete, 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai i kishte trafikuar armët, nga RMV-ja në vendin tonë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen në Shqipëri”, thanë burime zyrtare.

Ndaj tij u ngritën akuzat për veprat penale “trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit Sh. Ç., si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, theksohet në njoftim. /ZOOM.AL/