zoom

Aktualitet

“Tokë e nxonme”, si nisi sherri për parkimin në Durrës, vëllezërit “jabanxhinj” qëlluan nënë e bir

Nënë e bir, Valbona dhe Flamur Çerma u qëlluan me armë zjarri poshtë pallatit të tyre në lagjen nr. 12 në Durrës nga fqinji, që kishte vetëm dy javë që kishte ardhur nga Peqini. Gazetari Leonidha Musai zbardhi kronologjinë e plotë të sherrit që nisi rreth orës 20:00 dhe përfundoi me dy të plagosur dhe dy vëllezër të arrestuar.

Flamur Çerma në limitet e orës policore parkoi makinën poshtë shtëpisë dhe në momentin që po dilte u konfliktua me dy vëllezërit Erges dhe Zyber Juba, të cilët i kërkuan që të largonte makinën pasi vendin poshtë pallatit e kishin zënë me gurë për të parkuar.

Dy vëllezërit kishin vetëm 2 javë që ishin zhvendosur nga Peqini me banim në lagjen nr. 12 në qytetin bregdetar. Çerma nuk pranoi dhe mes tyre nisi debati që nga verbal kaloi në fizik me grushte dhe shkelma. Por, Ergesi nuk është mjaftuar me kaq duke u ngjitur në shtëpi për të marrë pistoletën.

Me shpejtësi ka zbritur poshtë duke qëlluar në drejtim të fqinjit. Pasi dëgjoi të shtënat poshtë pallatit zbriti edhe nëna e të riut, Valbona Çerma e cila gjithashtu u plagos në këmbë.

Policia fillimisht arrestoi njërin nga dy vëllezërit Zyber Jubën dhe rreth 2 orë më pas Ergesin, i cili ishte personi që qëlloi me pistoletë. Nënë e bir janë në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy vëllezërit pas hekurave.