zoom

Blog

T’ju vijë turp!

Prej orësh, dy video disasekondëshe kanë zaptuar memorien e celularëve tanë. Në thelb, përmbajtja është fare e rëndomtë: vjehrri dhe vjehrra gjejnë nusen në momente intime me një djalë. Ose ose, siç ua do oreksi portaleve, “e kapin mat”.

Teksa nuk lënë gjë pa filmuar, nga lakuriqësia e nuses te ofendimet banale ndaj saj, sigurohen të marrin edhe familjarë të tjerë, për t’ia bërë vençe gjyqin publik.

Një skandal i jashtëzakonshëm që ka qelbur prej dy ditësh mediat online dhe shoqërinë.

Portale të ndryshme i publikuan pamjet pa u menduar dy herë. Një eksitim i frikshëm pronarësh portalesh dhe redaktorësh turni për t’i bërë lajm filmimet në fjalë. Të njëjtat portale që aspirojnë të jenë serioze.

JOQ, Gazeta Shqiptare apo Gazeta Jone janë vetëm disa prej burimeve informative shqiptare që bashkëpunuan drejtpërdrejt në poshtërimin e dy qenieve njerëzore.

T’i japësh zë zemërimit, dhunës dhe kërcënimeve rrëqethëse është e pajustifikueshme. AMA duhet të ndërhyjë një orë e më parë me urgjencë. Kjo është një përdhosje e paprecedentë e të drejtave të njeriut.

Janë këto media online që hiqen si profesioniste e denoncuese, por që njëkohësisht e shkelin me të dyja këmbët. Unë zgjedh t’i bojkotoj dhe kjo për të treguar se unë nuk harroj. Klithja e vajzës në video nuk ka të shlyer. Sa do donte ajo që një gazetar profesionist të mendonte: Për hir të Zotit, s’mund ta publikojmë këtë. Do t’i shkatërronim dy të rinjtë!

Reagimi ndaj një akti tradhtie shfaqet tepër dinamik dhe nuk njeh shtetësi. Padyshim nuk është vetëm ndodhí shqiptare që pala e tradhtuar, tepër e përfshirë, të reagojë me agresivitet. Problemi është se vajza në video duhet të durojë kryqëzimin e prindërve të partnerit dhe fisit, të cilët meqë “e kanë futur në shtëpi” mund të bëjnë me të ç’të duan.

“Nuk deshi luksin”, dëgjohet vjehrri të thotë . Pa mendojeni pak, një vajzë e re, me partnerin në emigracion, që jeton me mamanë dhe babanë e tij. E justifikon kjo detyrimisht tradhtinë? Patjetër që jo, por na ndihmon të futemi në botën e saj. Në jetën që bënte.

Lidhur me këtë situatë, policia ka reaguar duke çuar për ndjekje penale vjehrrin dhe vjehrrën. Një lëvizje nga instancat kjo, që duhet të tregojë se veprime të tilla dënohen; dhunimi fizik, po ashtu edhe shkatërrimi i imazhit, cënimi i privatësisë.

Sikur të mos mjaftonte bastuni i vjehrrit dhe gjuajtjet e gruas, komentuesit, pasi zgurdulluan sytë me videot dhe fërkuan barkun, me gjakftohtësi dhe nga rehatia e kolltukut, s’i lanë dy fjalë pa thënë:

“Mirë ia bënë kurvës”.

Kemi tradhtuar, do të tradhtohemi, mund të na tradhtojnë. Ose ndaloni menjëherë së konsideruari vajzën si rast të paprecedentë dhe përjashtimor turpi ose pranoni që jemi të gjithë në një thes. Si tha zotëria? Për atë punë, “kurvar jam vetë”.

Janë këto komentuese që qahen cepave se ua durojnë drurin burrave, burra që s’i duan më gratë po i mbajnë për inerci apo gra që ua ka ënda të shpien në djall çdo gjë, të ndahen e të vazhdojnë jetën, por çfarë t’i bëjnë opinionit. Ndaj boll masakruat një vajzë, në emër të “moralit”, prej pozicionit të “shenjtorit”.

“Për shqipot është normale të rrahësh e të vrasësh për tradhti”, shkruan dikush në Instagram, ashtu siç faqe të shumta raportojnë se më pas vajza, nga vetë familja e saj është qethur, rrahur dhe nxjerrë totalisht e zhveshur në rrugë. Si pasojë e gjendjes së rënduar emocionale, vajza po trajtohet në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit (informacione jo zyrtare). Shkulna Perëndi gjithë këtë derr morali që kemi e na e shpjer aty ku duhet!

Nga Denisa Skodi

*Shënim: Ishte i pashmangshëm përdorimi i fotografisë ilustruese, nevojitej për lexuesit si referim