zoom

Politikë

Tjetër sulm ndaj Berishës nga PD e Bashës. Zekthi: Mund të vendosim të mos jetë pjesë e grupit parlamentar

Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN, ku foli dhe për çështjen e shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nëse ai do të jetë pjesë e parlamentit të ri.

Zekthi u shpreh se PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në Kuvend, por sipas tij ajo mundet që ta konsiderojë një vendim për të mos ta cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar.

“Zoti Berisha ka thënë vetë që do të jetë në parlament. Kjo nuk ka diskutim. PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në parlament pasi ai është një deputet i zgjedhur nga shqiptarët. Aman Partia Demokratike mund të marrë në konsideratë një vendim të saj për të mos e cilësuar atë pjesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pra ky është diskutimi. Ky është gjykimi im. Mesa di unë PD e ka pasur një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Qëndrimi është ky. Zoti Berisha është trashëgimia historike e Partisë Demokratike. Është në një farë mënyrë ndërgjegjja jonë 30-vjeçare. Arritjet e PD janë nën shenjën e këtij njeriu. Ky njeri ka një vend të padiskutueshëm në Partinë Demokratike dhe shtetit shqiptar. PD respekton statutin dhe për përjashtimin e njerëzve. PD nuk mund ta përjashtojë nëse nuk shkelet një nga këto klauzola”, u shpreh Zekthi.
Në mesjavë Rilindja Demokratike, organi zyrtar i shtypit të PD publikoi një deklaratë të sekretares së re për ish -të përndjekurit, Jonila Godole, e cila kërkoi publikisht që PD të distancohej nga Berisha. Deklarata prodhoi reagime të simpatizantëve të PD dhe brenda Selisë Blu që e detyruan RD të fshijë shkrimin dhe të bëjë një shënim pro Berishës. /Zoom.al