Aplikacion
Në krahasim me fillimin e këtij viti, euro po këmbehet me gati 2 lekë më pak. Euro u rrit për pak kohë në fillim të marsit, duke arritur deri në 127 lekë, si rrjedhojë e pasigurive që u shkaktuan në furnizime nga kriza e shkaktuar nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës. Më pas, kursi iu rikthye ekuilibrave.
Nga fillimi i qershorit deri tani, euro ka humbur pikë vazhdimisht në tregun vendas. Aktorët e tregut të këmbimeve thanë se kjo dukuri lidhet me dy faktorë:
-Faktori i parë lidhet me efektet sezonale të turizmit. Ky i fundit po i kthehet normalitetit pas pandemisë dhe të dhënat e INSTAT treguan se për 5 mujorin, hyrjet e të huajve në vend ishin 12% më të larta më të larta se sa viti 2019, kur ishte shënuar dhe viti më i mirë historik për turizmin deri tani. Si rrjedhojë, prurjet e valutës nga turizmi janë shtuar.
-Faktori i dytë lidhet me hyrjet informale, që gjithnjë kanë ndikuar në shtimin e ofertës së valutës në vend.
Nismat e fundit të qeverisë për legalizimin e kanabisit dhe aplikimin e një amnistie fiskale, edhe nëse nuk bëhen ligje të zbatueshme, po përkthehen si sinjale pozitive për aktivitetet e paligjshme, trafikantët dhe të korruptuarit.
Amnistia parashikon legalizim të cash-it deri në 2 milionë euro, si dhe legalizim të kapitalit jashtë e brenda, përfshirë dhe pasuritë e paluajtshme, kundrejt një tarife prej 7-10%.
Operatorët e tregut pohojnë se euro pritet të jetë e dobët në javët në vijim, teksa historikisht në gusht valutat janë të dobëta për shkak të efekteve sezonale të turizmit dhe kthimit të emigrantëve./MONITOR