Aplikacion
Shumëkush mund të mendojë se pamjet e mëposhtme i përkasin lagjeve të rrënuara të Mumbait të largët, por në fakt, grupi i xhirimit i Zoom.al udhëtoi vetëm 7 minuta larg qendrës së Tiranës.
Ndodhemi në rrugën “Rexhep Tarja”, pranë shkollës 9-vjeçare, “Pal Engjëlli”.
Për një pjesë, territori në fjalë njihet si zona e ish-degës ushtarake, një zonë ku pavarësisht kushteve, shumë familje janë të detyruara të vijojnë të jetojnë e ndërsa fëmijët, të përpiqen të luajnë e t’i shohin gjërat bukur, ndonëse realiteti nuk është në anën e tyre.
Temperaturat e larta ua kanë vështirësuar edhe më shumë jetesën banorëve të kësaj lagjeje, të cilët shprehen se plehrat e hedhura rrugëve dhe jashtëqitjet e kafshëve në pellgjet e pista po kthehen në vatra infeksioni.
Shtatori s’është larg dhe kjo është panorama që duket se i pret edhe këtë vit nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Tiranë, “Pal Ëngjëlli”.
“Këtu pastrohet vetëm për zgjedhje. Javën e zgjedhjeve nuk gjen mbeturinë në tokë, pastaj po njësoj,”- shprehet një banore, e cila thotë se gjendja vazhdon e tillë prej vitesh.
Shpresat u gjallëruan disi për banorët, me ndërtimin e stadiumit të ri të Partizanit (rruga në fjalë të shpie në tribunat C-D-E), i cili i bëri të besonin se gjërat mund të ndryshonin për mirë. Por deri më sot, tifozët shkojnë e vijnë nëpër rrugën plot mbeturina dhe erë kërmë. Bashkë me ta, edhe vetë banorët, që bashkia i ka harruar e ndërsa kamerat e saj nuk i filmojnë kurrë, sepse të vërteta si këto, duhen fshehur me çdo kusht!/ Zoom.al