zoom

Aktualitet

Terapi me plazmë konvaleshente, 20 pacientë marrin gjakun e personave të shëruar nga Covid-19

Plazma konvaleshente konsiderohet se ndihmon pacientët me Covid-19. Prej tri javësh kjo lloj terapie ka nisur të përdoret edhe në Kosovë, në bazë të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë. Në mungesë të vaksinave, Kosova po përdor terapi mbështetëse për të trajtuar pacientët me Covid-19.

Klinika Infektive në Prishtinë u ka dhënë rreth 20 të sëmurëve plazmë konvaleshente nga gjaku i pacientëve të cilët e kanë kaluar sëmundjen.

Sadiku: Sigurisht që ka filluar në dy-tri javët e fundit aplikimi i plazmës konvalescente tek ne. Efektet është herët me fol sepse është një numër shumë i vogël i pacientëve. Konsiderohet se si edhe në vendet tjera që plazma konvalescente mund të ndihmojë pacientin.

Plazma konvaleshente dallon nga plazma normale e gjakut prej pranisë së antitrupave që luftojnë virusin vdekjeprurës, SARS-CoV-2.

Bukurije Zhubi, drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), bën thirrje për më shumë dhurues të saj për të shpëtuar jetë.

Zhubi: Janë diku rreth 300 por jo të gjitha i plotësojnë kushtet për përdorim sepse ato duhet t’i kenë prezencën e antitrupave SARS-COV2, dhe ato që të plotësojnë kushtet kalojnë dhe prej tyre janë 35 doza deri tani.

Dhurimi i plazmës konvaleshente kryhet me kushte dhe kërkon që dhuruesi të dokumentojë me test PCR ose serologjik, prezencën e kundërtrupave.

Zhubi: Fillimisht duhet ai t’i plotësojë kriteret e përgjithshme të një dhuruesi standard të gjakut , dhe pastaj gjithashtu t’i plotësojë kërkesat specifike në këtë rast kalimin e sëmundjes COVID-19.

Kosova raporton përditë të infektuar të rinj nga koronavirusi.

Vendi po pret vaksinat e para me synimin për të imunizuar më së pari stafin shëndetësor dhe kategoritë më në rrezik, ndërsa deri në fund të vitit objektivi është imunizimi i mbi 60 përqind të popullsisë.