zoom

Bota

Tensioni Rusi-Ukrainë, Kanadaja dërgon përforcime në Evropën Lindore

Kanadaja, shumë e shqetësuar për kërcënimet ruse planifikon të dërgojë përforcime ushtarake në Poloni dhe shtetet baltike për shkak të situatës së sigurisë rajonale, njoftoi Ministrja e Mbrojtjes, Anita Anand, gjatë një vizite në Letoni.

“Ne duhet të mendojmë për dërgimin e trupave shtesë nga Kanadaja në Poloni dhe në shtetet baltike”, tha ministri kanadez gjatë një vizite në bazën Adazi, ku ndodhet një grup taktik i NATO-s i drejtuar nga ushtarakët kanadez.

Prania e Kanadasë në rajonin e Baltikut është e rëndësishme, theksoi ministri, duke kujtuar se grupi taktik i vendosur aktualisht në Letoni përfaqëson praninë më të madhe ushtarake të kanadezëve jashtë vendit.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për kërcënimet ruse”, u shpreh Anand. “Kanadaja do të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar paqen dhe rendin në botë, duke përfshirë unitetin territorial të Ukrainës”, shtoi ajo.

Dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan dërgimin e 3,000 trupave shtesë për të forcuar praninë ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore, për shkak të vendosjes së 100 mijë trupave ruse dhe armëve të rënda në kufirin me Ukrainën.

Kanadaja po ndihmon ushtrinë ukrainase dhe po siguron një mision trajnimi ushtarak si pjesë e operacionit UNIFIER të nisur në vitin 2015. Ministri letonez i Mbrojtjes, Artis Pabriks tha se vendi i tij po përgatitet të dërgojë instruktorë ushtarakë në Ukrainë për t’iu bashkuar misionit.

NATO ka vendosur të dislokojë grupe taktike që rrotullohen në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.