zoom

Bota

Tensionet në Ukrainë, zbardhet biseda mes Putin dhe Biden

Mediat e huaja kanë zbuluar pjesë nga biseda që Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi këtë të shtunë me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, thuhej se Presidenti Joe Biden bisedoi sot me Presidentin Vladimir Putin rreth tensioneve që ka krijuar rritja edhe më tej e pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën. Presidenti Biden ishte i qartë se, nëse Rusia ndërmerr një sulm ndaj këtij vendi, Uashingtoni së bashku me aleatët dhe partnerët e tij do të përgjigjen me vendosmëri duke goditur Rusisë me sanksione me kostë të shpejtë e të rëndë. Presidenti Biden përsëriti se një sulm rus do të prodhonte mjerim të gjerë për njerëzit dhe do të dobësonte pozitat e Rusisë. Presidenti Biden ishte i qartë me Presidentin Putin se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar për një zgjidhje diplomatike të situatës, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët e saj, mbeten të përgatitura njëkohësisht edhe për skenarë të tjerë.

Uashingtoni thotë se ka marrë njoftime nga agjencitë e zbulimit se pushtimi mund të ndodhë të mërkurën.

Ambasada amerikane në Kiev ka nisur evakuimin e personelit të saj. Krahas kësaj, Departamenti i Shtetit ka lëshuar udhëzime mbi udhëtimet, duke paralajmëruar amerikanët të mos shkojnë në Ukrainë, për shkak të kërcënimeve të shtuara ndërsa ka këshilluar shtetasit amerikanë që ndodhen në këtë vend të largohen menjëherë.

Disa diplomatë amerikanë pritet të zhvendosen në pjesën perëndimore të Ukrainës, një masë që do t’i lejonte SHBA-ve të ruanin një prani diplomatike në këtë vend.

Përpara bisedës me presidentin amerikan, zoti Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.

Në një deklaratë të Kremlinit në lidhje me telefonatën thuhej se Putin-Macron folën mbi ato që Moska i quan “spekulime provokuese për një sulm të planifikuar rus ndaj Ukrainës. Rusia ka mohuar vazhdimisht se po planifikon veprime ushtarake kundër fqinjit të saj.

Gjatë bisedës zoti Putin i tha zoti Macron se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk i janë përgjigjur në mënyrë të kënaqshme kërkesave ruse që Ukrainës të mos lejohet të anëtarësohet në NATO e që aleanca të tërheqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore.