zoom

Aktualitet

Tensionet në Kosovë/ Hovenier: Po rrezikohen ushtarët amerikanë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenirr ka folur për tensionet që ka shkaktuar çështja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Hovenier se ekziston një rrezik real që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha se Uashingtoni po shpreson që qeveria në Prishtinë do t’i marrë parasysh këto shqetësime dhe nuk do të veprojë në mënyrë të njëanshme.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ura duhet të hapet dhe se nuk është kundër askujt.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga serbët e veriut.