zoom

Aktualitet

Tensionet Kosovë-Serbi/ Lajçak “jep alarmin”: Mund të kemi viktima

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për Kosovën dhe Serbinë të ulen sa më parë në tryezën e dialogut ose në të kundërt, situata mund të përshkallëzohet deri në numërimin e viktimave.
Ky është paralajmërimi që bën i Dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai deklaroi se deri më tani, nuk ka parë vullnet politik për të mbajtur zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe, sipas tij, duhet lëvizur sa më shpejt në këtë drejtim për të shmangur situata të tjera të tensionuara.

“S’ka afat për zgjedhjet. Gjithçka varet nga vullneti politik. Por ne bëjmë thirrje që të mbahen menjëherë. Ka procedura kushtetuese qe duhet të ndiqen qe kryetarët të dorëhiqen, askush nuk dëshiron të shtyjë një zgjidhje jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës. Por deri tani s’kemi parë vullnet politik për zgjedhje të parakohshme. Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, tha ai.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me Gabriel Escobar.