zoom

Lajme

Telefoni i Kryemadhit dhe çështja e Metës, Ralf Gjoni tregon se për çfarë u pyet në SPAK

Ish-deputeti i LSI-së, dhe ish-këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ralf Gjoni, ka lënë pak më parë zyrat e SPAK, pas më shumë se tre orë e gjysmë marrjeje në pyetje, në ciklësinë e personit që ka dijeni.

Gjoni nuk dha detaje pas daljes nga godina, i pyetur prej mediave, se përse është pyetur nga SPAK. Ai tha se ai vetë nuk është person në hetim dhe se është pyetur në lidhje me funksionet shtetërore që ka mbajtur gjatë jetës së tij.

“Jam pyetur si shtetas në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Nuk u pyeta si person në hetim. Nuk ka arsye për të më hetuar mua. Nuk kam qenë pjesë e dosjes së ish presidentit Meta, se s’kam qenë në kontakt me të kur ka qenë kryetar shteti.

Nuk ka asnjë arsye për të më hetuar mua. Nuk mund ta them më shumë, mund të pyesni prokurorët. Dua të respektohem dhe dua të tregohem profesional, kaq kisha për të thënë”, u shpreh Gjoni.

Mësohet se Gjoni është pyetur për aferën CEZ-DIA dhe për lobimin në SHBA. Gjithashtu edhe për çështjen e telefonit të sekuestruar Monika Kryemadhit.

Çifti Meta-Kryemadhi po hetohen në lidhje me pasurinë e tyre. Ralf Gjoni ka dhënë shpjegime përpara agjentëve të BKH-së dhe të prokurorëve të SPAK. E para që u pyet për pasurinë e çiftit Meta-Kryemadhi ishte Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit.

Më 7 dhjetor 2023 gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Çela e refuzoi kërkesën e ish -kryetares së LSI, Monika Kryemadhit për t’i kthyer asaj disa sende të sekuestruara. 2 javë përpara këtij vendimi agjentët e BKH kishin kryer kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë dhe në shtëpinë e nënës së deputetes. Siç raportuan mediat, ishin sekuestuar dokumente, kompjutera dhe të paktën 5 telefona.

SPAK, nëpërmjet prokurorit Sotir Kllapi, argumentoi në të dyja shkallët e gjyqësorit se materialet e gjetura në telefonin e ish -kryetares së LSI ishin të vlefshme për hetimin që po vijon ndaj saj për kontrata e lobimit të LSI në SHBA, në vitin 2017.

Tensionet në Partinë e Lirisë mes çiftit bashkëshortor Meta-Kryemadhi janë rritur së tepërmi ditët e fundit, teksa ish-presidenti ka lënë jashtë funksioneve në parti gruan, duke e fajësuar si shkaktare të situatës politike në kampin opozitar dhe nepotizmin. Gjithashtu ka pasur valë sulmesh ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani, ku u përdor edhe fjalor fyes. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura