Aplikacion
Kryeqendra e Veriut lufton për të mbajtur ngjyrën blu apo për t’iu nënshtruar mavisë që ka mbuluar vendin prej zgjedhjeve njëpartiake të 2019 -ës.
Por lufta e vërtetë nën këmbët e Rozafës është ajo mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, pasi Shkodra është e vetmja bashki, ku opozita ka shansin të fitojë. Një fitore që më shumë se për qytetarët shkodranë, vlerën e ka te kthesa që mund të shënojë në politikën e Tiranës: Rama do ta nënshtronte për herë të parë, Berisha do të faktorizohej si opozita e vërteë, Basha si e ardhmja e PD -së, siç i pëlqen ta quajë veten.
Shifrat ngjallin shpresë. Në vitin 2019, opozita nuk mori pjesë, por Partia Socialiste arriti të marrë vetëm 12,335 vota.
Për të parë nga anon elektorati, do të duhet të shkojmë në zgjedhjet e vitit 2015.
PD arriti të marrë në atë kohë 25,559 vota, PS 20,195 vota, SI 8,891 vota dhe PSD e Tom Doshit 7,930 vota.
Edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021, ndonëse dinamika e tyre është krejtësisht e ndryshme nga lokalet, PD mori 29,893 vota, PS 15,848 vota, PSD 9,808 vota dhe LSI 7,880 vota.
Shanset që Partia Socialiste ta marrë Shkodrën për herë të parë janë më të mëdhatë në këto zgjedhje. PS ka arritur të marrë maksimalen e mbështetjes në këtë qendër në parlamentaret e 2017-ës me 20,195 vota. Me Partinë Demokratike të përçarë në dy kampe, nëse ajo e maksimalizon votën, duke pasur edhe mbështetjen e Tom Doshit, harta mavi do të mbulonte edhe veriun.
Por gara më e fortë është ajo mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, me LSI që pritet të këtë ndikimin e saj në mbështetjen për kandidatin e ish -kryeministrit të Partisë Demokratike.
Demokratët e Berishës e konsiderojnë atë si bastionin e tyre. Voltana Ademi, që i rezistoi presionit për të lënë detyrën e kryebashkiakes dhe qëndroi për 2 vjet jashtë mandatit të saj, mbështet gjithashtu kandidatin e Berishës. Edhe figura të tjera të PD në këtë qytet janë parë në mitingjet e Berishës.
Për nga rëndësia që i japin shifrat, përplasja në Shkodër nis që sot, me takimet elektorale të Ramës, Berishës e Bashës.
Tubimet nisin me Bashën në orën 16:00 që do të kërkojë mbështetjen për Xhemal Buatin , Berishën në 16:30 me një “koncert rrok” siç njoftoi zyra e tij e shtypit për të mbështetur Bardh Spahinë dhe me Ramën në orën 17:00 në mbështetje të Majlinda Angonit.
Të gjitha opsionet janë të hapura për të dielën në këtë bashki, teksa në të tjerat suprizat as nuk janë të imagjinueshme. Durrësi, Dibra, Vora, Rrogozhina e Lushnja do të jenë fushëbeteja vetëm mes Berishës e Bashës, jo për çelësat e zyrave bashkiake, por për çelësin e selisë së Partisë Demokratike. /Zoom.al