zoom

Politikë

Të gjitha faktet për skandalin “McGonigal” të çojnë në zyrën e kryeministrit Edi Rama

Një letër e një punonjësi të FBI, e publikuar nga “Zëri i Amerikës”, hodhi më shumë dritë mbi misterin e marrëdhënies mes ish-shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Punonjësi ngre këto pyetje ndaj kërkesë së McGonigal, për të hetuar lobistin Nick Muzin të Partisë Demokratike:

1. “Pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?”

2. Do të doja t’ju shpjegoja atyre (eprorëve) se, pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare, që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si..?”

Letra e punonjësit të FBI fakton se si hetimi nëse PD e kishte paguar lobistin Muzin me para ruse, nisi me kërkesë të McGonigal.

Është fakt që McGonigal e kishte marrë informacionin nga Agron Nezaj, një ish-punonjës i SHISH.

Sipas aktakuzës së Gjykatës Amerikane, është fakt që Agron Neza ka deklaruar në FBI se informacionin e kishte marrë nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Është fakt që Agron Nezaj i kishte dhënë McGonigal 225 mijë dollarë dhe nuk ia ka shlyer ato.

Është fakt që Nezaj dhe McGonigal kanë takuar kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij. Nuk është e qartë nëse kanë biseduar për hetimin ndaj lobisit të PD.

Por është fakt që McGonigal nuk e ka raportuar këtë takim në FBI. Nuk dihet as nëse Edi Rama e ka raportuar këtë takim në protokollin zyrtar.

Është fakt që McGonigal dhe Edi Rama janë takuar 15 herë të tjera. Nuk është e qartë se për çfarë kanë biseduar, pasi takimet kanë qenë sekrete.

Është fakt që pas takimeve me Nezajn, Ramën dhe këshilltarin e jashtëm të kryeministrit, Dorian Duçkën, McGonigal hapi hetimin kundër PD.

Është fakt që me t’u larguar McGonigal nga FBI hetimi u mbyll, pasi nuk u gjet asnjë provë që PD kishte marrë para nga Kremlini.

Është fakt që hetimi i FBI ndryshoi qëndrimin e Uashingtonit ndaj PD. Është fakt që shqetësimin se partitë politike shqiptare kanë marrë para ruse e ka ngritur edhe ish-ambasadorja Amerikane në Tiranë, pa e përmendur PD.

Kryeministri Rama ka deklaruar në Parlament se në kohën kur McGonigal thotë se e kishte marrë informacionin nga Nezaj, në janar 2018, lajmi kishte dalë në media.

Por në fakt, në atë kohë, asnjë media nuk kishte folur për financime ruse.

Është fakt që Nezaj e Duçka u angazhuan drejpërdrejtë në dhënien e informacionit zyrtarit të FBI, McGonigal, për të hetuar PD-në. Nezaj dha informacionet, ndërsa Duçka sponsorizoi udhëtimet e dëshmitarëve në BE, për të takuar McGonigal.

Kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këto fakte, por të gjitha të dhënat çojnë në zyrën e tij.

Nëse nuk ka ende prova që ai ka qenë sponsorizuesi i hetimit të FBI kundër PD-së, është fakt që ai është përfituesi kryesor i këtij hetimi, pasi dyshimet e ngitura nga ky hetim i FBI, se PD mund të kishte marrë para ruse, e dëmtuan rëndë opozitën shqiptare. /Zoom.al/