zoom

In Zoom

Të dhënat bankare në rrezik, SPAK e BKH pritet të kenë akses të pakufizuar në sistem

Një vit më parë SPAK mori akses në databazat e 9 institucioneve shtetërore për t’i përdorur ato në funksion të hetimeve për korrupsion dhe krimin e organizuar.

Gjendja Civile, Kadastra, Drejtoria e Burgjeve apo Regjistri Noterial janë disa prej tyre.

Por lista pritet të zgjerohet këtë vit. Prokuroria e Posaçme pritet të ketë akses të drejpërdrejtë dhe të pakufizuar edhe në sistemin ADAM të policisë apo në E-Gjoba. Por veç ktyre, prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH do të jenë të lirë të hyjnë sa herë ta konsiderojnë të nevojshme edhe në sistemin e bankave private të nivelit të dytë.

Ligji për funksioimin e SPAK, i miratuar në vitin 2016, i jep të drejtë kësaj strukture që të ketë akses vetëm në databazat eksiztuese të të gjitha institucioneve shtetërore. Lejen që prokurorët të shfrytëzojnë të dhënat dhe materialet që disponojnë këto institucione e jep drejtuesi i SPAK, për një periudhë 6-mujore, në mënyrë që të evitohet rrjedhja e informacionit.

Por burime nga mazhoranca thanë për Zoom.al se qeveria po përgatit një tjetër VKM që t’i japë SPAK akses të plotë në të dhënat bankare të qytetarëve dhe biznesit shqiptare. Sipas VKM-së, prokurorët dhe anëtarët e BKH do të mund të hyjnë në sistemet e bankave të nivelit të dytë pa kufizim.

Aktualisht SPAK ka të drejtën t’i aksesojë këto të dhëna sa herë ka një hetim për individë apo kompani të caktuara. Por me VKM-në e re hyrja në të dhënat bankare të shqiptarëve do të jetë fakultative, sipas dëshirës së prokurorëve apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjurmimi i llogarive bankare deri tani është bërë me kërkesë të posaçme nga SPAK, për shkak se sistemet bankare kanë një nivel të lartë sigurie dhe thyerja e tyre konsiderohet me pasoja të rënda edhe për sigurinë kombëtare. Shqiptarët panë gjatë vitit të kaluar se si u thyen të gjitha sistemet qeveritare, por shqetësimi kryesor i tyre ishin të dhënat bankare, pasi thyerja e tyre mund të çonte në humbjen e kursimeve.

Deri tani SPAK nuk ka pasur asnjë pengesë për të marrë të dhënat nga bankat e nivelit të dytë për rastet që ka pasur në hetim. Por dhënia e aksesit të pakufizuar prokurorëve dhe hetuesve edhe individë e kompani që nuk janë nën hetim, i ekspozon personat, kompanitë dhe vetë sistemet ndaj rrezikut që të dhënat e tyre të përundojnë në duart e personave apo grupeve që kanë interesa të tjera, përfshirë ato kriminale.

Mediat dhe gazetarët kanë publikuar shpesh të dhëna sensitive të dala nga prokuroritë e të gjitha niveleve, edhe nga vetë SPAK. Dosje të plota, të dhëna të sistemit TIMS, përgjime telefonike, biseda ambientale, komunikime elektronike etj, që janë në zyrat e SPAK, janë parë në ekrat e televizioneve apo në faqet e gazetave e portaleve. Ka dyshime se shumë informacione të tjera që kanë rrjedhur nga grupet hetimore kanë përfunduar në duart e grupeve të krimit të organizuar apo personave nën hetim.

Prokuroria ka nisur shpeshherë hetimet për të zbuluar se nga kanë dalë këto të dhëna, por këto hetime as kanë zbuluar se nga ka rrjedhur informacioni dhe as kanë çuar në marrjen e ndonjë mase ndaj prokurorëve apo hetuesve që i kanë “shitur” këto informacione.

Për shkak se të dhënat bankare konsiderohen të një rëndësie të veçantë edhe për sigurinë kombëtare, aksesi i pakufizuar i prokurorëve të SPAK në këtë databaze sensitive është një këmbanë alarmi, pasi rrjedhja e tyre rrezikon të çojë në rënien e shtetit. /Zoom.al