zoom

Ekonomi

Të blesh dy herë jetën dhe shëndetin!

Në vitin 2020, Shqipëria doli e para në Europë për treguesin e vdekjeve shtesë, të cilat ishin mbi 20% më të larta se mesatarja e viteve 2015-2019 (e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (rreth 18%) dhe Kosova (me rreth 17%), sipas raportimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian.

E njëjta tendencë vijoi dhe në 2021, kur të tre këto shtete panë rritjen më të lartë të fataliteteve shtesë në periudhën e pandemisë.

Shtetet e varfra, përveçse nuk kishin kapacitetet e duhura spitalore për të përballuar pandeminë, nuk kishin as luksin për të kufizuar lëvizjet dhe as kushtet për të respektuar masat e distancimit social, prandaj zgjodhën ekonominë përballë jetës së qytetarëve të tyre. Këta të fundit reaguan duke “blerë” jetën.

Të dhënat e përditësuara së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shëndetësinë janë rreth 60% e totalit, me rritje të ndjeshme me 10 pikë përqindje nga 2015-a dhe më të lartat në Europë (e dyta pas Shqipërisë është Maqedonia e Veriut, me gati 42%).

Kjo shifër është dëshmi e një sistemi shëndetësor publik, që nuk arrin t’u shërbejë qytetarëve të vet, e një skeme sigurimesh shëndetësore të detyrueshme, që nuk e realizon qëllimin e vet, lehtësimin e kostove shëndetësore për shtetasit, megjithëse pretendohet që kemi një shëndetësi falas.

Ajo është reflektim i niveleve të ulëta të investimeve për shëndetësinë në vite dhe aplikimin de facto në Shqipëri të një shërbimi mjekësor më së shumti privat, madje me skema sigurimesh) jofunksionale.

Të dhënat krahasuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për 42 vende europiane tregojnë se Shqipëria renditet e treta në Europë për shpenzimet më të ulëta buxhetore për shëndetësinë. Mesatarisht, shtetet europiane japin për financimin e shëndetësisë, 5.2% të PBB-së, ndërsa Shqipëria e ka këtë tregues afërsisht 3%.

Madje në 2022, kur janë dhe të dhënat më të fundit të disponueshme nga INSTAT, shpenzimet buxhetore për shëndetësinë, në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2017, duke zbritur për herë të parë nga ai vit pak nën nivelin prej 3%.

Krahas nivelit të ulët në krahasim me vendet e tjera, një tjetër problematikë është dhe rishpërndarja e tyre. Vitet e fundit, fokusi është vënë në projektet koncesionare në shëndetësi, disa prej të cilave kanë rezultuar joefikase dhe janë tashmë nën hetim nga njësia e posaçme antikorrupsion, SPAK.

Për periudhën 2017-2013, buxheti i shtetit ka shpenzuar për katër koncesionet e shëndetësisë, sterilizimi, dializa, check up, laboratorë, rreth 26 miliardë lekë, ose 240 milionë euro, sipas të dhënave të pagesave faktike nga Ministria e Financave.

Këto para do të ishin të mjaftueshme për të ngritur, nga e para, të paktën katër spitale moderne.

Për më tepër, që përveç koncesionit të dializës, tre të tjerët janë tashmë nën hetim nga SPAK. Pra, ky i fundit dyshon për abuzime për 80% të shumës që është dhënë në total, për këto koncesione në 2017-2023.

Edhe në vitin 2024, buxheti ka parashikuar pagesa prej 5.4 miliardë lekësh për këto katër koncesione, që është sa 10% e buxhetit të shëndetësisë (përjashtuar pagesat për përkujdesin social).

Në kahun e kundërt, financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor, kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.

Treguesit zyrtarë referojnë se brenda buxhetit të shëndetësisë ka shpërndarje të deformuar të fondeve, me orientimin e tyre drejt koncesioneve joproduktive.

Të dhëna më të detajuara nga IQIVIA (lider global kërkimor për novacionin në shëndet) tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimune, nervore, etj., në raport me Europën dhe rajonin.

Rënia e financimeve për produktet farmaceutike dhe shërbimet shëndetësore, shpërdorimi i asaj pjese financimesh publike të kanalizuar në formën e koncesionit, skemat jofunksionale të sigurimeve shëndetësore, të kombinuara me plakjen graduale të popullsisë dhe shtimin e barrës së sëmundjeve pas Covid, rrezikojnë të përkeqësojnë më tej shëndetin dhe cilësinë e jetesës së popullatës me pasoja zinxhir në produktivitetin e ekonomisë dhe rëndimin e mëtejshëm të xhepave të popullatës.

Politikat shtetërore, që kanë si rezultat përkeqësimin e shërbimeve kryesore publike, si arsimi dhe shëndetësia, përtej paaftësisë apo abuzimeve, po shërbejnë si faktorë nxitës të emigrimit. Në këtë mënyrë, kapitali njerëzor i shtetit shqiptar është nën sulm nga çdo anë./ Monitor