zoom

In Zoom

Taulant Balla në udhëkryq! “I mërzitur me Ramën? Nuk është çështje kungujsh! Marrëdhënia me Elbasanin nuk ndryshon”

Ajo që Zoom.al kishte paralajmëruar  u pa sot hapur në Asamblenë e Partisë Socialiste: Pushteti i Taulant Ballës ka nisur të tatëpjetën. Edi Rama jo vetëm që nuk e promovoi, jo vetëm nuk e emëroi në qeveri apo si kryetar parlamenti, siç Balla kishte ëndërruar, por sot e shkarkoi edhe nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Dhe jo vetëm kaq!

Ai i hoqi Ballës “çifligun” e tij historik, qarkun e Elbasanit, si i vetmi deputet që ka kandiduar gjithnjë në të njëjtën zonë, aty ku buronte i gjithë pushteti i tij , së fundi duke e nxjerrë si deputetin më të votuar në shkallë vendi në zgjedhjet e 25 prillit.

Rama u kujdes t’i tregojë Ballës se çmontimi i pushtetit të tij është i mirëmenduar. Ia provoi këtë duke i dhënë atributet e tij Damian Gjiknurit, që do të jetë edhe Sekretar i Përgjithshëm edhe si drejtues të qarkut të Elbasanit dhe duke e çuar vetë Ballën në një qark pa asnjë lidhje me të, si Fieri.

E teksa “Tërmeti” i zgjedhjeve po ngjit shkallët në kupolën e PS, “Tao” po e sheh veten në anën tjetër të së njëjtës shkallë, atë të zbritjes. Deri kur?
Balla nuk vonoi t’i kujtojë Edi Ramës se sa peshë ka në elektorat dhe çfarë ka bërë ai për të dhe Partinë Socialiste. I përmendi “patronazhistët” e famshëm, duke i kujtuar se sa me zell e ka mbrojtur ai publikisht këtë mega-skandal. Nga vënia në dukje e mosmirënjohjes kaloi në shantazh. I përmendi kryetarit të PS votat që mori në Elbasan, si deputeti më i votuar në Shqipëri. Dhe kur u pyet nga gazetarët, Balla i mëshoi pikërisht lidhjes së tij me Elbasanin si për t’i treguar Edi Ramës gabimin që kishte bërë duke ia kthyer shkallët e karrierës me kokë poshtë.

“Ju e dini që unë jam i vetmi deputet që kandidoj historikisht në të njëjtën zonë zgjedhore dhe kjo është një lidhje e fortë mes të zgjedhurit dhe atyre që zgjedhin. Sepse ajo që ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht – dhe unë mendoj se ndaj mendimin e të gjithë qytetarëve – është që, çdo qytetar duhet ta dijë se për kë ka votuar dhe duhet të ketë një lidhje të përditshme me atë që ka votuar. Dhe prej ditës që jam zgjedhur deputet kam thënë që unë do të jem zëri i atyre që kanë votuar për mua dhe unë do të vazhdoj ta bëj këtë në mënyrën më të mirë dhe në fakt, besoj që ju që merreni edhe me të dhënë dhe analiza e dini që rezultatet kanë qenë gjithmonë në rritje të vazhdueshme”.

Pikërisht kjo rritje e vazhdueshme, me kërcitjen e votave në Elbasan, mbi 17 mijë të tilla, duket se u panë nga Rama si lojë e pisët e Ballës për t’i treguar atij fuqinë në parti dhe për t’ia plasur në tavolinë si provë se ai e meritonte të promovohej si ministër apo kryetar i Kuvendit.

“A ishte kjo përgjigjja e kryeministrit se ju po fuqizoheni shumë dhe keni marrë më shumë vota nga të gjithë?” Kjo pyetje e ardhur nga gazetarët e nxorri nga formati serioz. Shpërtheu në një të qershur të sforcuar (shihni videon më poshtë në faqen e zoom.al) dhe i dha përgjigje edhe kryeministrit që i tha në Asamble se ai s’mund t’i mbante dy kunguj.

“Kjo nuk është çështje kungujsh, kjo është çështje përgjegjësish”, tha Balla duke folur për përgjegjësinë si deputet në Elbasan dhe si drejtues qarku në Fier.

“E para ju thashë që unë jam deputet i qarkut të Elbasanit dhe jam drejtuesi politik i qarkut të Fierit. Ju lutem mos ngatërroni detyrat nga fati i të qenit deputet dhe drejtuesit politik të qarkut. Pra një politikan i mençur duhet të dijë t’i bëjë të dyja në mënyrë rigoroze. Kjo nuk është çështje kungujsh, kjo është çështje përgjegjësish”.

Si për t’i treguar sërish Ramës se ai nuk do të heqë kollaj dorë nga Elbasani, i kujtoi se do të duhet të mbante premtimet për të bërë investimet e duhura në zonë. Ai tha troç se mosmbajtja e asaj çfarë Balla u kishte premtuar votuesve do ta mërziste, kur iu tha se askush nuk do ta besonte që ai nuk ishte mërzitur me kryesocialistin Rama.

“Vështirë ta besojë dikush që unë nuk jam mërzitur? Dua t’ju them se ky është meraku im i vetëm. Unë të mërzitem me kryesocialistin Rama nëse qarku i Elbasanit nuk do të marrë invesitmet e nevojshme dhe të domosdoshme për t’i kthyer atë borxh që Partia Socialiste i ka për mandatin e tretë. Të mos harrojmë që Partia Socialiste e Shqipërisë ka rezultatin më të mirë në Qarkun e Elbasanit, ka detyrimin më të madh në Qarkun e Elbasanit dhe unë do të jem në parlament për të garantuar që çdo rrugë, çdo kanalizim, çdo investim në ujë të pijshëm, në çdo shkollë, në çdo çerdhe dhe në ambiente të tjera apo investime të tjera publike, Elbasani të ketë vëmendjen e parë të qeverisë. Sepse në fund të fundit edhe në Europë apo SHBA roli i deputetëve është që të garantojnë sa më shumë vëmendje për zonat nga vijnë. Unë jam sa përfaqësues dhe banor i atij qarku. Kështu që tifozeria dhe marrëdhënia ime me Elbasanin nuk ndryshon kurrë”.  

“Kaq është ambicia juaj?” Sigurisht që Balla nuk u përgjigj. Ai tani është në një udhëkryq, për t’i shpallur luftë kryeministrit, apo të bëjë atë që ka ditur të bëjë gjithmonë më mirë, të nisë nga e para përpjekjet lajkatare për ta bindur se ai është “besniku” i duhur! /Zoom.al