zoom

Bota

“Tani jemi në gjendje lufte”, Irani mbyll hapësirën ajrore. Hamasi përshëndet sulmet mbi Izraelin

“Irani tani është në gjendje lufte”. Kështu deklaroi Ministria iraniane e Inteligjencës, duke paralajmëruar se Teherani do të përballet me vendet që mbështesin Izraelin.

Irani ka mbyllur edhe hapësirën e tij ajrore dhe ka ndaluar të gjitha fluturimet.

Pas sulmit me raketa të lëshuara nga Irani mbi Izraelin, misioni i Teheranit në OKB tha se Republika Islamike kishte “ekzekutuar siç duhet përgjigjen e saj ndaj akteve terroriste të regjimit sionist”.

“Dhe nëse Izraeli guxon të përgjigjet ose të kryejë akte të mëtejshme keqdashjeje, një përgjigje e mëvonshme dhe dërrmuese do të pasojë,” shtoi misioni në X.

Ndërkohë grupi islamik palestinez Hamas përshëndeti sulmet me raketa iraniane dhe i cilësoi ato një akt heroik.

“Ne përgëzojmë lëshimin heroik të raketës të kryer nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike në Iran, në zona të mëdha të territoreve tona të okupuara, në përgjigje të krimeve të vazhdueshme të okupimit kundër popujve të rajonit dhe në hakmarrje për gjakun e dëshmorit të kombit tonë”.

Irani nisi mbrëmjen e sotme një sulm me raketa në Izrael.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se sulmi u fokusua në objektivat e sigurisë dhe ushtarake izraelite dhe ishte në përgjigje të vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe të tjerëve.

Ushtria izraelite, e cila fillimisht vlerësoi se rreth 180 “predha” u qëlluan në Izrael – tha se sulmi “do të ketë pasoja”.

Më herët, SHBA tha se besonte se Irani po përgatiste një sulm të afërt me raketa balistike kundër Izraelit, pas nisjes së një operacioni tokësor nga Izraeli në Libanin jugor që synonte Hezbollahun e mbështetur nga Irani. Zyrtarët izraelitë e përshkruan ofensivën tokësore në Liban si “bastisje të lokalizuara”.