zoom

Bota

Takimi emergjent në Paris/ Çfarë diskutuan liderët europianë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje të hënën për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket përgjegjësisë dhe garantimit të sigurisë për Ukrainën.

Ai i ka bërë këto komente pak orë pas deklarimeve të zyrtarëve amerikanë se Bashkimi Evropian mund të mos konsultohet për nisje të bisedimeve për paqe me Rusinë, me qëllim të dhënies fund të luftës në Ukrainë.

“Nuk duhet të ketë ndasi për sigurinë dhe përgjegjësinë në mes të Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë Scholz për gazetarët, pas mbajtjes së një samiti urgjent evropian në Paris.

“Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.

Përveç Scholzit, pjesë e takimit ka qenë kryeministri britanik Keir Starmer, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, si nikoqir i takimit.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë pas takimit se duhet të ekzistojnë garanci amerikane të sigurisë pas arritjes së paqes në Ukrainë, pasi ato janë e vetmja mënyrë për t’u siguruar që Rusia nuk do të sulmojë më Ukrainën.

Ai ka thënë se do të shkojë javën tjetër në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe për të diskutuar “ata që i konsiderojmë elementë kyç për paqe afatgjatë”.

Ai ka thënë se do të bisedojë edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në ditët në vijim.

“Ne duhet ta pranojmë epokën e re në të cilën jemi, të mos endemi të pashpresë në të kaluarën. Është koha të marrim përgjegjësi për sigurinë tonë, për kontinentin tonë”, ka thënë ai, duke treguar se e ka bërë të qartë se Britania do të jetë në krye të përgjegjësisë.

Ai është pyetur nëse SHBA-ja e ka minuar rolin e Britanisë, Evropës dhe Ukrainës, duke nisur njëanshëm bisedime me Rusinë.

Starmer ka thënë se SHBA-ja është në kërkim të paqes afatgjatë, dhe atë e dëshirojnë edhe Britania, edhe aleatët evropianë, edhe Ukraina.

Sipas tij, është e rëndësishme që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur të nisin bisedimet.

Sipas tij, garancitë e sigurisë “duhet të jenë një pako e përkrahur nga SHBA-ja, sepse ndryshe nuk mendoj që do të shihen si garanci, meqë nuk do të jenë masë efektive parandaluese”.

I pyetur për garancitë amerikane, Starmer ka thënë se diskutimet janë në faza të hershme.

Starmer e ka përmendur sërish se Britania ka gatishmëri të angazhojë trupa në Ukrainë, në cilësinë e paqeruajtësve, nëse arrihet paqja.

Kancelari gjerman e ka quajtur shumë të hershëm diskutimin për dërgimin e forcave evropiane paqeruajtëse në Ukrainën.

“Jam pak i irrituar nga këto debate”, ka thënë Scholz pas takimit me liderët evropianë.

Sipas tij, ky diskutim nuk po bëhet në kohën e duhur, sepse ende nuk është arritur paqja, por Ukraina është në mesin e një lufte brutale të nisur nga Rusia.

Scholz ka thënë se është krejtësisht kundër dërgimit të ushtarëve në Ukrainë pa përfshirjen amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka tronditur Ukrainën dhe aleatët evropianë javën e kaluar, kur ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë do të takohen të martën në Arabinë Saudite.

Këto diskutime të nivelit më të lartë në vjetët e fundit pritet të pasohen me një takim mes Trumpit dhe Putinit.

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, është takuar të hënën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Riad, me Këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarin amerikan për Lindje të Mesme, Steve Witkoff, si pjesë e ekipit negociator të SHBA-së.

Në anën ruse do të marrin pjesë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe Këshilltari për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se bisedimet do të përcaktojnë nëse rusët janë seriozë për bisedime të paqes.

Kremlini ka thënë se bisedimet do të fokusohen në “përmirësim të marrëdhënieve komplekse ruso-amerikane”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për takime.

“Ukraina e konsideron secilën negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën, pa asnjë rezultat dhe nuk mund të njohë asnjë marrëveshje për ne, pa ne”, u ka thënë ai gazetarëve.Rel/