zoom

Politikë

Takim të fshehtë me Bashën në një apartament? Balla për videon: Kam qëlluar në ashensor me Berishën

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka mohuar të jetë takuar me Lulzim Bashën pas publikimit të pamjeve filmike në Syri Tv, ku shfaqen në një apartament që figuron pronë e një bashkëpunëtoreje të tij.

Ai tha me ironi se ka rastisur në një ashensor me Berishën, por nuk janë takuar.

“Unë kam qëlluar ne një ashensor dhe me Sali Berishën. Nuk e kam takuar as këtë”, u shpreh Balla për gazetarët jashtë Kuvendit.

Pamjet

Në pamjet e publikuara pak ditëmë parë nga Syri TV shihet momenti kur Basha dhe Balla mbërrijnë në një apartament që figuron pronë e një bashkëpunëtoreje të tij.

Është ora 18:04 minuta e pasdites së 3 dhjetorit të 2022 kur Lulzim Basha mbërrin me një automjet tip “Jeep”.

Takimi është zhvilluar në kulmin e debatit për zhvillimet në PD, për vulën e demokratëve, në dhjetor 2022.

Në orën 18:04 minuta, Lulzim Basha futet në banesën e caktuar për takimin.

Në 18:27 minuta, mbërrin edhe Taulant Balla.

Taulant Balla largohet i pari, nga banesa ku u mbajt takimi, në orën 19:26 minuta, duke marrë ashensorin.

Ndërsa në orën 19:45 minuta, është Lulzim Basha ai që largohet nga apartamenti i mikut të përbashkët, ku mbajt takimi, duke zbritur shkallët në këmbë.

Sakaq, mësohet se Balla dhe Basha janë takuar edhe te resorti i Gjergj Lucës, si dhe në disa ambiente të tjera në Tiranë, takime të cilat gjithnjë janë mohuar nga të dy.