zoom

Politikë

Tabaku: Qeveria ka miratuar VKM që zgjeron landfillin për inceneratorin e Sharrës, jashtë kontratës

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nuk mundi dot të shqyrtonte një marrëveshje mes Bashkisë së Tiranës dhe KFW, në lidhje me “Linjën e Gjelbërt”, për shkak se Bashkia Tiranë mungoi në atë mbledhje.

Mirëpo deputetja e PD, Jorida Tabaku, kërkoi gjatë fjalës së saj për procedurë që të mbahej përgjegjësi dhe që Komisioni Ekonomisë dhe Financave të kërkonte tanimë zbatimin e kontratave nga Bashkia Tiranë për koncesionet, PPP-të dhe marrëveshjet.

Gjithashtu Tabaku deklaroi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se qeveria shqiptare ka firmosur një VKM për shpronësime të reja në landfillin e Inceneratorit të Tiranës, duke dëshmuar dhe një herë që inceneratori i Tiranës ësht një aferë korruptive. Sipas saj kontrata e inceneratorit nuk kishte përllogaritur këto kosto që po i shtohen të gjitha taksapaguesve shqiptarë.

Tabaku vuri në dukje që institucionet e qeverisë kanë qenë gojëkyçura për informacionet që duhet të jepnin për kontratat dhe PPP-të. Kjo heshtje sipas deputetes së PD është kompromentuese për qeverinë dhe padyshim ngre hije dyshimi për këto kontrata.

Mendoj që ne sot kemi nevojë për një database të plotë, u shpreh Jorida Tabaku, dhe i takon këtij Komisioni që ta zhvillojmë bashkë, të marrim në seancë ministrin përgjegjës sipas ndarjes së përgjegjësive për të parë zbatimin e kontratave koncesionare nga kosto dhe nga detyrimet. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që dhe kjo kontratë e inceneratorëve është sensitive si rezultat i shkeljes disa herë dhe e them sepse lidhej me Bashkinë e Tiranës dhe me detyrime që kishte marrë Bashkia e Tiranës që në krye të herës.

Fjala e plotë e Tabakut në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave:

“Dje përfaqësues të Bashkisë së Tiranës nuk kanë ardhur në komisionet e tjera dhe me të drejtë ne jemi Komision përgjegjës dhe nuk e diskutojmë dot këtë marrëveshje dhe do presim komisionet e tjera që të përfundojnë. Unë kisha disa shqetësime të cilat lidhen me Bashkinë e Tiranës si insttiucion të cilat unë mendoj që Komisioni i Ekonomisë dhe më gjërë mund ta shoh dhe nga pikëpamja e mbikqyrjes së kontratave.

Javën e kaluar, ditën e mërkurë, Këshilli i Ministrave ka kaluar një vendim i cili lidhet me dhënien e një hapësire sipërfaqe shtesë për landfillin e Sharrës. Një sipërfaqe e cila lidhet me projektin e inceneratorit të Tiranës. Kjo sipërfaqe shtesë që është dhënë është në kundërshtim me kontratën dhe kontrata e nënshkruar, detyrimet e marra përsipër nga kontraktori thonë që ne do t’i kryejmë të gjitha aktivitetet tona me atë sipërfaqe pa pasur nevojë tjetër. Kjo nënkupton kosto shtesë për Bashkinë e Tiranës. E mora këtë si shembull për të thënë që ne kemi nevojë si Komision Ekonomie të kemi informacione konkrete mbi zbatimin e kontratave koncesionare.

Kam dërguar disa shkresa në Ministrinë e Financave të cilat kam përshtypjen që ndoshta tani duhet t’i dërgoj tek Ministria e re e Ekonomisë dhe Kulturës dhe Inovacionit sepse ndoshta mund të jenë atje si degë përgjegjësie. Ka dy vite që nuk publikohet raporti i monitorimit për kontratat koncesionare. Ka të paktën 5 vite që nuk vendoset online edhe kur është publikuar. Ne kemi nevojë që të kemi një informacion për zbatimin e kontratave koncesionare, detyrimeve që ka tashmë secili prej kontraktorve, si janë zbatuar këto detyrime, ku ndodhemi me kontratat koncesionare, pagesat? Ku ndodhemi me detyrimet e përfituesve, me pagesat nga fondet publike? E bëj këtë kërkesë pasi kam ezauruar të drejtën time si deputete për të kërkuar informacion dhe nuk e kam marrë dot këtë informacion.

Deri para tre vitesh unë e merrja këtë informacion, nuk i kam gjetur online raportet e monitorimit. Mendoj që ne sot kemi nevojë për një database të plotë dhe i takon këtij Komisioni që ta zhvillojmë bashkë, të marrim në seancë ministrin përgjegjës sipas ndarjes së përgjegjësive për të parë zbatimin e kontratave koncesionare nga kosto dhe nga detyrimet. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që dhe kjo kontratë e inceneratorëve është sensitive si rezultat i shkeljes disa herë dhe e them sepse lidhej me Bashkinë e Tiranës dhe me detyrime që kishte marrë Bashkia e Tiranës që në krye të herës”.