Aplikacion
Së bashku me Marash Logon, përfaqësuesin ligjor të Partisë Demokratike, Tabaku u paraqit në SPAK për të zhvilluar takim për çështjen e inceneratorëve. Pas daljes nga takimi, Tabaku bëri të qartë për gazetarët se do t’i paraqesë raportin përfundimtar SPAK, si dhe do të jetë në mbështetje të tij.
“Ne do të bëjmë atë që parlamenti na ka mandatuar. Do të sjellim një raport përfundimtar. Deri më sot nuk ka asnjë mbivendosje të punës së Komisionit, jemi duke mbështetur SPAK në punë e tij. Unë e sigurova që do të vendosim në dispozicon të gjithë raportin. Takimi u kërkua nga unë”, deklaroi Tabaku, e cila më pas tha se edhe sot të vijojë punën Komisioni Hetimor në orën 10:30.
Ky takim i Tabakut me Krajën vjen pak ditë pasi në SPAK përfunduan Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi dhe deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako. Këta dy persona u morën në pyetje në lidhje me inceneratorët. Tabaku u shpreh krenare që këto dy persona nga PS-ja kanë përfunduar në SPAK. Nga ana tjetër, SPAK ka vënë në pranga ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka për korrupsion e shpërdorim detyre dhe ka shpallur në kërkim dy administratorët e kompanisë.