zoom

Lajme

Tabaku për tragjedinë e Shkodrës: Fajin e ka e gjithë politika, ligjet duhet të jenë më të ashpra!

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar sot në lidhje me ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku nëna me 3 fëmijët e saj të mitur u mbytën në lumin Bunë, ndërsa dyshohet se shkak u bë dhuna e bashkëshortit, i arrestuar nga policia vendore.

Tabaku tha se fajin për ngjarje të tilla, ku nuk ka mekanizma, e ka e gjithë politika. Sipas saj, ligjet janë por nuk zbatohen siç duhet, ose nuk janë të ashpër.

“Të gjitha si nëna jemi ndjerë të tronditura kur kemi mësuar historinë. Disa herë tentova të reagoja, por s’i gjeja dot fjalën. Ne flasim, por nuk shohim që të merret masa. Nuk është çështje apatie. Personat që mendojnë se dhunuesi nuk do të dënohet, nuk shkojnë deri te denoncimi. Ligji duhet të jetë më i ashpër.

Personi në fjalë kishte një precedent penal. Kur ndodh një rast dhune në familje, alerti duhet të jetë më i madh. Nëse zonja do të kishte një pavarësi ekonomike, do të kishte ikur dhe nuk do të jetonte në dhunë. Nuk dua që ta politizoj, por po ja vë fajin të gjithë politikës bashkë që nuk kemi arritur të bëjmë diçka që çdo hallkë e sistemit të funksionojë. Ne na intereson situata këtu. Ligjet janë, por nuk funksionojnë në praktikë”, tha ajo. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura