Aplikacion
Një ditë pasi mori progres-raportin nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Tabaku shpjegoi se opozita është mënjanuar plotësisht nga mazhoranca, kurse shqetësimet e ngritura prej saj dhe për të cilat proteston, janë të përfshira edhe në Progres-Raport.
Ajo sugjeroi që ky raport të lexohej mirë, pasi si BE dhe Opozita janë në një linjë me shqetësimet, por sipas saj, mazhoranca e PS ka rrëzuar në takimin e disa ditëve më parë (29-30 Tetor), 36 amandamente, që sollën edhe mosvotimin e deklaratës së përbashkët.
“Në progresraport renditen të njëjtat shqetësime që kemi prezantuar edhe ne. Situata e përkeqësuar e investimeve, ligjit, problemet e drejtësisë ato ekonomike. Tregu dhe ekonomia e kapur nga interesa private. Korrupsioni dhe kapja e tregut minon zhvillimet, shqetësime për koncesionet publike për një grup të caktuar. Sulmet ndaj mediave, shpërdorimi burimeve natyrore si energjia, administrata publike që ka pasur përkeqësim dhe regres. Këto që ndodhen në Progres-Raport janë të gjitha elementë që kemi ngritur shqetësimin në kohë dhe kemi protestuar”, tha Tabaku para gazetarëve.
Ajo kërkoi që shqetësimet të merreshin parasysh, pasi “ka nevojë për proces integrimi të shqiptarëve dhe Raporti të lexohet ashtu siç është shkruar”.
E pyetur për raportet me Parlamentin dhe deklaratën e kryeparlamentares Elisa Spiropali se është gati të ulet në tryezë, por jo nëpërmjet dhunës, Tabaku u përgjigj:
“Spiropali të marrë listën dhe të fillojë me reflektim. Ta nisi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, a e bën dot mazhoranca, për këtë proteston opozita. Qeveria teknike, a e bën dot mazhoranca? Ka dhe shqetësime të tjera, si ai për zgjedhjet e lira. A protestuam për komisionet hetimore për 6 muaj? Opozita e ka kryer detyrën e saj, por a e kryen qeveria? Parlamenti është bërë si kalim me pengesa. A është Parlament normal ky? Rregullorja e re e Parlamentit është e njëanshme, ne e kemi denoncuar. Ta nisë nga kjo rregullore e njëanshme mazhoranca”.
Shpjegime deputetja dha edhe për çështjen e takimit të 18-të KE-Shqipëri, ku nuk u votua deklarata e përbashkët mes palëve, pasi Opozita refuzoi dhe u kritikua hapur nga eurodeputetët e delegacionit të asociim-stabilizimit, që i tërhoqën vëmendjen se “vota kundër ishte mesazh i gabuar për BE-në”.
“Deklarata e përbashkët nuk u votua, sepse palët ulen e diskutojnë për shqetësimet dhe ne u vumë para një deklarate që kishte vetëm vlerësime dhe kur nuk merren parasysh ato që themi ne ka mospërfshirje. U prezantuan amendamentet nga palët. 36 amenadamente hodhi poshtë PS-ja nga tonat. Por a ka ndonjë shqetësim që ia vlen? Marrim një shembull. Flasim për legjislacionet e ndërhyrjeve të huaja, si ato ruse, ose rasti Deripaska, që mos përsëriten në të ardhmen. Qeveria mori përsipër para BE se do e bënte, por a është bërë? Këtë kemi kërkuar edhe ne. Pa përmendur çështjet e tjera si reforma në drejtësi”, tha Tabaku.
Ajo këmbënguli se mosvotimi i deklaratës së përbashkët erdhi pikërisht nga njëanshmëria e PS në takim.