zoom

Lajme

Tabaku për mediat portugeze: Autokrat dhe elitist, një kryeministër i “marrëdhënieve me publikun”

Në intervistën e saj me gazetën portugeze Expresso, Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, ka ngritur shqetësime serioze mbi drejtimin autokratik të qeverisjes së kryeministrit Rama dhe sfidat që kjo qasje paraqet për demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Tabaku ka theksuar se qeverisja e Edi Ramës është shndërruar në një sistem ku opozita, shoqëria civile dhe qytetarët mbahen jashtë proceseve të rëndësishme vendimmarrëse. Ajo e cilësoi këtë model si një “autokraci të maskuar me marrëdhënie të mira me publikun,” duke theksuar aftësinë e kryeministrit për të manipuluar opinionin publik, ndërsa realiteti tregon një mungesë të thellë transparence dhe përfshirjeje.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një demokracie funksionale. Shqipëria, për fat të keq, ka dështuar në përmbushjen e këtij standardi për shkak të përdorimit të burimeve publike, ndikimit kriminal dhe blerjes së votave,” tha Tabaku. Ajo shtoi se raportet e ODIHR-it pas çdo palë zgjedhjesh janë një tregues i qartë se reformat e nevojshme zgjedhore nuk janë zbatuar.

Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të ardhshme, Tabaku shprehu shqetësimin se ato mund të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian. “Kjo qeveri ka treguar se nuk garanton zgjedhje të ndershme, dhe kjo është një pengesë serioze për demokracinë tonë dhe rrugëtimin drejt BE-së,” theksoi ajo.

Tabaku gjithashtu ngriti alarmin për ndikimin politik në sistemin gjyqësor dhe përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar proceset që duhet të jenë të pavarura. Ajo e përshkroi këtë situatë si një problem të thellë që dëmton sundimin e ligjit dhe përpjekjet për t’u bashkuar me familjen evropiane.

Në përmbyllje, Tabaku bëri thirrje për veprim urgjent për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirje të opozitës dhe shoqërisë civile në vendimmarrje, si dhe për një reformë të vërtetë demokratike që të jetë në përputhje me standardet evropiane.

Shkrimi në Expresso:
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, akuzoi kreun e Qeverisë për mbajtjen e partive dhe shoqërisë civile jashtë vendimmarrjeve të mëdha. Tabaku sulmoi gjithashtu ndikimin politik në sistemin gjyqësor, blerjen e votave dhe përdorimin e burimeve publike gjatë fushatave. Duke u ndalur te procesi i ngadaltë i integrimit në Bashkimin Evropian, krahasuar me atë të Ukrainës, ajo tha: “Shqiptarët nuk e di, por unë ndiej frustrim.”
“Armët” e Tabakut

Jorida Tabaku i kishte në majë të gjuhës argumentet kundër kryeministrit Rama ndërsa ne shkuam në takim.“E di që keni qenë me kryeministrin përpara se të vinit këtu. Atij i pëlqen të marrë vëmendjen. Mirëpo tani është koha të dëgjoni realisht se çfarë ndodh në Shqipëri,” e nisi bisedën e saj të çlirët deputetja e Partisë Demokratike (qendrës së djathtë) me një grup gazetarësh portugezë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Në ndërtesën që strehon grupet parlamentare, por jo seancat plenare, dhe që dikur ishte selia e Partisë Komuniste, Tabaku nuk kurseu kritikat ndaj Edi Ramës, i cili drejton qeverinë prej 11 vitesh dhe udhëheq Partinë Socialiste (PS, qendra e majtë) që prej 2005-ës.
“PR shumë i mirë”

“Ai ka një PR shumë të mirë, është tejet i zoti në shitje. Do të kishte qenë një shitës i shkëlqyer,” tha ajo të mërkurën, duke shtuar një tjetër “cilësi” që i njeh kryeministrit: “Gjithashtu ka dhe një tjetër talent, për t’ua hedhur fajin të tjerëve kur vjen puna tek çështjet e korrupsionit.” Sa herë që ndodh “një skandal në vend,” Rama fillimisht “mbron ekipin e tij” dhe, kur sheh që nuk mban më ujë pilafi, “ua lë fajin” bashkëpunëtorëve të tij, tha ajo. Tabaku gjithashtu kritikoi mungesën e përfshirjes së opozitës dhe aktorëve të tjerë, si shoqëria civile, në vendime të rëndësishme për vendin.
Deputete që nga viti 2013, Tabaku ka qenë më herët ish zëvendësministre në Ministrinë e Integrimit Europian (2009-11), ndërsa aktualisht drejton Komisionin e Çështjeve Europiane që është përgjegjës për çështjen e integrimit europian. “Në këtë proces të gjatë pritjeje, shqiptarët vendosën të shkonin në Evropë në vend që Evropa të vinte tek ne”, u shpreh ajo, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të vendit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Shqipëria paraqiti aplikimin e saj në vitin 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidat në vitin 2014. U deshën edhe tetë vite të tjera përpara se, në vitin 2022, BE të zhvillonte konferencën e saj të parë ndërqeveritare me Shqipërinë. Muajin e kaluar, në një konferencë për shtyp me Ramën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi në Tiranë se progresi i bërë në procesin e anëtarësimit do t’i sjellë vendit 920 milionë euro të tjera investime evropiane.
“Proces shumë elitist” dhe problemet me zgjedhjet

Si kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, Tabaku tha se ka nisur dialogun me shoqërinë civile, që “nuk ka qenë e përfshirë në proces.” Deri më tani, “ky proces ka qenë shumë politik, shumë elitar dhe duhet të bëhet kombëtar duke përfshirë shoqërinë,” vërejti ajo, duke theksuar se “kjo nuk po ndodh dhe duhet të ndryshojë.”

Por zgjedhjet parlamentare të pranverës, që do të mbahen në prill ose maj, ajo i sheh si një pengesë tjetër. “Dyshoj se zgjedhjet e vitit të ardhshëm mund të ndikojnë në proces, sepse kjo qeveri ka treguar që ka probleme me zgjedhjet,” kritikoi ajo.
Gjatë 11 viteve të fundit, në tri mandatet e Ramës (i treti pothuajse në përfundim), “Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të kryejë një reformë të plotë zgjedhore.” Pas çdo palë zgjedhjesh, “ne kemi një raport të ODIHR-it që vjen me një listë të gjatë detyrash për të përmbushur,” tha ajo.
Në zgjedhjet e fundit, ato vendore vitin e kaluar, “opozita ishte e ndarë dhe – por edhe pse në këtë gjendje, problemet vazhdonin të ishin po aty dhe po aq shqetësuese si fjala vjen: përdorimi i burimeve publike, mungesa e ndarjes midis shtetit dhe partisë, ndikimi kriminal, blerja e votave,” shtoi ajo.
Reforma e drejtësisë dhe ndikimi politik

Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, u vendos që Shqipëria duhet të përmirësojë sistemin e saj gjyqësor, duke luftuar korrupsionin dhe ndikimin e grupeve të krimit të organizuar. Për këtë arsye, në vitin 2016, vendi miratoi një paketë reformash gjyqësore. Arrestimet e figurave politike të opozitës, por edhe të partisë në pushtet, janë paraqitur nga qeveria si dëshmi e progresit në këtë drejtim.

Ilir Meta, ish-presidenti i Shqipërisë i cili ishte kryeministër dhe kryetar i Kuvendit, u arrestua në tetor me dyshimin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave dhe pasurive personale. Më parë ka qenë kreu i PD-së, Sali Berisha, njëherësh ish-president dhe ish-kryeministër, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej gati një viti për dyshime për korrupsion gjatë kohës që drejtonte Qeverinë. Që atëherë, mbështetësit e Berishës kanë mbajtur vigjilje të përditshme pranë shtëpisë së tij. Delegacioni i gazetarëve portugezë në Tiranë ishte dëshmitar i një prej këtyre demonstratave të mbështetjes.
Meta dhe Berisha i përkasin partisë kryesore opozitare. Ndërkohë, Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Arben Ahmetajn, ish-zëvendëskryeministër i PS-së.
Megjithatë, zonja Tabaku bën një dallim. “Nuk kam parë kurrë një zyrtar qeveritar që të përgjigjet para drejtësisë ndërsa ai ka veshur mantelin e pushtetit apo titullarin e lartë. Ka shumë nga mazhoranca, por ata nuk ishin më në detyrë kur u proceduan penalisht. Gjithsesi, raportet e ndryshme, si progres-raporti apo sundimi i ligjit, nënvizojnë se ndikimi politik në sistemin gjyqësor është i vazhdueshëm,” theksoi ajo, duke shtuar se “problemet që duhej të zgjidhte reforma në drejtësi nuk janë zgjidhur.”
Migracioni dhe marrëveshja me Italinë

Pyetur për marrëveshjen që parashikon transferimin e emigrantëve nga Italia në qendrat e paraburgimit në Shqipëri, Tabaku u shpreh se “Italia është një vend partner dhe strategjik, ndaj opozita ka qenë e kujdesshme kur ka folur në lidhje me këtë çështje, duke u përpjekur të mos tjetërsojë shqiptarët në Itali, as të mos krijojë një valë zemërimi dhe as të mos e përdorë politikisht këtë çështje,” shpjegoi ajo. Por ajo nënvizoi se kjo çështje e kampit duhet të ishte subjekt “i një vendimi më të gjerë” që përfshinte presidentin dhe parlamentin “në një formë tjetër.”
Në dritën e marrëveshjes së nënshkruar me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Shqipëria lëshon tokën, por është ligji italian që zbatohet brenda qendrave të emigrantëve. Ata nuk mund të largohen dhe rrezikojnë të dërgohen në vendet që konsiderohen “të sigurta,” por sipas OJF-ve ato vende nuk janë të tilla. Pavarësisht se është sfiduar nga drejtësia italiane, ky model i kontraktimit po bën rrugën e tij në të gjithë BE-në.
“Mendoj se problemi i emigracionit nuk do të zgjidhet me këto qendra,” argumentoi Tabaku, duke theksuar nevojën për një strategji reale. “Fokusi duhet të mbetet në luftën kundër shkaqeve të emigracionit, që është një qasje më e drejtë dhe afatgjatë,” tha ajo.
Deputetja e opozitës nuk e mbylli bisedën me gazetarët pa i dhënë një goditje tjetër kryeministrit dhe megalomanisë së tij. “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, me potencial të jashtëzakonshëm. Shqetësimi im është se ky potencial nuk po shfrytëzohet plotësisht. Shqetësimi im është se shqiptarët po largohen nga vendi. Shqetësimi im është se Tirana nuk ka përse të jetë Manhattan.”