zoom

Politikë

Tabaku nga Kuvendi: Këtu shkelen të 15 kriteret e BE-së. PD-ja voton reformat

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend gjatë ditës së sotme, tha se ngritja e komisioneve për reformën territoriale dhe atë zgjedhore janë një lajm i mirë për shqiptarët dh se PD-ja e ka votuar sepse është kërkesë ndërkombëtare e jo nga Partia Socialiste.

Më tej, Tabaku tha se faji për dështimin e këtyre reformave të nisura disa vite më parë, është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Nënkryetarja e PD-së shtoi se qeveria ka shkelur me dy këmbë 15 kriteret e Bashkimit Europian, me prokurimin publik, pastrimin e parave,  krimin dhe korrupsionin. 25 prilli është masakër, shtoi Tabaku.

“Nga një reformë që e nisët që do kursente 80 milionë euro, sot shpenzon 60 milionë euro më shumë. Qytetarët e Dibrës më thanë janë mbi 1000 të punësuar në bashkinë e Dibrës, jetojnë jashtë. Vetëm shkojnë tek bankomati marrin rrogën. Kjo është reforma territoriale. Sot nuk ka më shërbime, sot nuk ka më rrugë, nuk ka më infrastrukturë rrugore, sot ka vetëm kryetar të bashkisë së Tiranës dhe asnjë bashki tjetër që merr taksën e ndërtimit nga qytetarët këtu të Tiranës, nga bizneset këtu në Tiranë, se vetëm ndërton e gjë tjetër nuk bën. Dhe praktikisht të gjithë pushtetin lokal dhe pushteti vendor ka vdekur, është paralizuar. Sot nuk ka më pushtet lokal pranë qytetarëve dhe nuk ekziston më koncepti i pushtetit lokal. Për këtë arsye them që sot lajmi janë dy komisionet: komisioni i reformës zgjedhore, komisioni i reformës territoriale, të vonuara për këtë parlament. Duhet të ishin bërë vite më parë. Komisioni i reformës zgjedhore për herë të parë në tetë vite nuk u ngrit pas 2018-tës, një komision ku ne të diskutonim rekomandimet e OSBE-ODIHR. U bënë tre palë zgjedhje dhe nuk kishte mundësi të diskutohej në parlament se si ne mund të përmirësonim. Zgjedhjet nuk i organizon opozita. Zgjedhjet i organizojnë ata që janë në qeveri. Buxhetin e shtetit nuk e përdor opozita, e përdorin ata që janë në qeveri. Janë të gjitha çështje të vullnetit politik.

E kam thënë këtë në një seancë para dy javësh. Në qoftë se ka nevojë për Reforma të cilat pengojnë procesin e integrimit, Partia Demokratike, sigurisht që nuk do të bëhet pengesë. Po vullnetin politik për ta mbajtur procesin e integrimit për 8 vite, siç e kanë mbajtur këta, ne nuk e zëvendësojmë dot, e ka qeveria vullnetin politik. I bën qeveria reformat, i zbaton qeveria reformat, dështon qeveria në reforma, siç ka dështuar në fakt me çdo gjë që kanë prekur. Sot për mua nuk është lajm vetingu që po diskutohet këtu. E kam thënë mendimin tim, për mua është fatkeqësi si një nip e mbesë e një familjeje që ka qenë e persekutuar, është fatkeqësi që sot në veting kanë kaluar vetëm gjyqtarë ose prokurorë që lidhen me periudhën e komunizmit e nuk jemi ne një grup prokurorësh e gjyqtarësh të rinj të cilët të jenë atje në sistemin e drejtësisë, për mua kjo është fatkeqësi.

Në 25 Prill dhe kam këtu rekomandimet e OSBE ODHIR-it, fatkeqësisht, quajeni si të doni, ne e quajmë masakër, ju jepini emrin që doni, fatkeqësisht nuk arriti dot që vullneti i shqiptarëve të përkthehet në mandate këtu në parlament, fatkeqësisht paratë e buxhetit u përdorën, të rindërtimit u përdorën për të blerë vota. Elementi i dytë, rekomandimi i dytë i OSBE ODHIR-it, nuk u ruajt sekreti i votës. A ka më të rëndë për një demokraci që nuk ruhet sekreti i votës? E ne në këtë parlament, për herë të parë, kur nis sesioni pas zgjedhjeve, nuk e kemi bërë një diskutim për raportin e OSBE ODHIR-it.

Se ka bërë as komisioni i Ligjeve, nuk e ka bërë asnjë komision tjetër, nuk ka gjë më të rëndësishme për të diskutuar sesa zgjedhjet, nuk ka gjë më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë sesa ti japim atyre një reformë zgjedhore që nuk e cenon vullnetin e tyre, që heq duart e shtetit nga buxheti i shtetit, që largon kriminelët. Në fund të ditës këto janë edhe çështje vullneti, vullneti politik. Po ndodh, po ndodh sot. Unë jam në Vorë në fushatë elektorale, ka kolegë të tjerë të cilët janë në Durrës, po ndodh dhe sot, fondet e rindërtimit, sa u lançua dita e zgjedhjeve, filluan fondet e rindërtimit të alokohen. Po ndodh çdo ditë. Unë e di, se ndryshoni dot zakonin. Vetëm kështu dini të fitoni, nuk dini mënyrë tjetër se si të fitoni. Po unë besoj, me një reformë të plotë zgjedhore, me një reformë të plotë territoriale, ne mund ti japim shqiptarëve një ndryshim të asaj që ndodhi në 25 Prill. Kam këtu një sërë rekomandimesh të mbi 6 organizatave të ndryshme ndër-qeveritare, duke përfshirë dhe Këshillin e Europës, e shumë të tjerë, për reformën territoriale. Edhe reformën territoriale e bëtë ne mënyrë të njëanshme.”