zoom

Lajme

Tabaku denoncon: U kalua Akti Normativ, Porti i Durrësit do kushtojë 400 mln euro nga taksat tuaja!

Ligjvënësja Jorida Tabaku, ka denoncuar sot edhe veprimet e fshehta financiare të Qeverisë me projektin e Portit të Durrësit. deputetja demokrate ka theksuar se “Porti i Durrësit do kushtojë 400 mln euro nga taksat e shqiptarëve”, bazuar edhe në Aktin Normativ të socialistëve.

Ajo thekson se ditën e sotme është kaluar ky Akt Normativ që ka lidhje me ndryshimin e buxhetit dhe ku preken paratë që t’i shërbejnë projektit.

Postimi i Tabakut dhe shpjegimi:

“Akti Normativ = Porti Durrësit kushton 400 mln euro nga taksat tuaja!

Ditën e sotme, shpejt e shpejt, u miratua Akti Normativ për Buxhetin që ka ardhur as dy muaj pas fillimit të vitit.

Nxitimi i qeverisë për këtë Akt lidhet me një projekt që një vit e katër muaj më parë qeveria e mohoi për 14 orë rresht, që do ndërtohet me taksat e shqiptarëve. Porti i Durrësit që u shkatërrua për t’i dhënë jetë një projekti me shumë pikëpyetje dhe që ndoqi një rrugë ligjore me shumë pikëpyetje, shkatërroi Portin e Durrësit.

Janë 400 mln euro që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve për një Port që ekzistonte por që qeveria vendosi ta shkatërrojë për ta ndërtuar diku gjetkë. Në fillim premtoi se do e ndërtonte me PPP nga një garë ndërkombëtare ku ishin thërritur kompanitë më prestigjoze të huaja. Por, as dy vjet pas këtij premtimi dhe nga xhepat e shqiptarëve merren 90 mln euro, nga taksat e rritura, për të ndërtuar një port që ekzistonte dhe që fitonte edhe fonde nga BE.

Kësaj shume, një kontabilist i zoti që i mungon sot qeverisë, do t’i shtonte edhe koston e një gjyqi në Arbitrazh, që na rrezikon disa miliona të tjerë për një kontratë që kjo mazhorancë e miratoi me votat e saj në mandatin e saj të dytë.

Kjo është e gjithë arsyeja e rishikimit të buxhetit, që në dhjetor ishte buxheti më i madh në vend dhe i shqiptarëve, ndërsa sot na rezulton si përherë buxheti i një pakice që fiton nga taksat e shumicës!”. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura