zoom

Aktualitet

Sulmoi me molotov Bashkinë gjatë protestës, arrestohet 29-vjeçari

Një i ri është ndaluar nga policia pas protestës së 13-të të opozitës dhe Aleancës Qytetare, që u mbajt më 21 qershor para Bashkisë së Tiranë.

Policia njoftoi se 29-vjeçari akuzohet për veprat “prishja e qetësisë publike”, “goditjet për shkak të detyrës”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, në vijim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e premte, më datë 21.06.2024, përpara bashkisë Tiranë, ndaluan shtetasin J. A., 29 vjeç, banues  ë Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas tre muajve protestë, deri tani numërohen mbi 20 protestues të arrestuar dhe liruar më pas nga Gjykata, dhjetëra nën hetim në gjendje të lirë dhe disa në kërkim. /ZOOM.AL/