Aplikacion
Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneral Tod Wolters aktivizoi forcën speciale shumëkombëshe të përbërë nga forcat tokësore, ajrore, detare, si një masë mbrojtëse në përgjigje të pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.
Aktivizimi i trupave të reagimit të shpejt (NRF) nuk do të thotë se ato do të ndërhyjnë në Ukrainë, pasi këtë NATO e ka të ndaluar për sa kohë që Ukraina nuk është anëtare e Aleancës.
Një ditë më parë presidenti Biden bëri të ditur se trupat amerikane po vendosen në Evropën Lindore për të ndihmuar në forcimin e vendeve të NATO-s në lindje të Europës dhe se ato nuk do të luftojnë në Ukrainë.
Ky është një moment historik dhe hera e parë që Aleanca përdor këto forca të gatishmërisë së lartë në një rol parandalues dhe mbrojtës. Më parë NATO ka përdorur element të kësaj njësie speciale në Afganistan, por vetëm për qëllime evakuimi.
Por çfarë është NRF?
Forca e Reagimit të NATO-s (NRF) është një forcë shumëkombëshe shumë e përgatitur dhe e avancuar teknologjikisht, e aftë për të reaguar në një kohë shumë të shkurtër ndaj gjithë gamës së sfidave të sigurisë nga menaxhimi i krizave deri te mbrojtja kolektive.
Ajo përbëhet nga njësi tokësore, ajrore dhe detare.
Aleatët e NATO-s vendosën të përmirësojnë NRF-në në vitin 2014 duke krijuar një “forcë majë shtize” brenda saj, të njohur si Task Forca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë.
Komanda e përgjithshme e NRF i përket Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropë (SACEUR).