zoom

Bota

Sulmi mbi Ukrainë/ Reagon Kremlini: Është vetëm një operacion special

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov foli për sulmin ushtarak të Rusisë në Ukrainë si një “operacion special” të enjten, por shmangu shumicën e pyetjeve mbi natyrën ose objektivat e tij në një telefonatë me gazetarët e huaj.

“Unë nuk mund t’ju jap informacion mbi komponentët ushtarakë, teknologjikë dhe të tjera detaje të këtij operacioni,” tha Peskov.

“I vetmi burim kryesor këtu duhet të jenë departamentet tona ushtarake dhe të mbrojtjes.”

Zëdhënësi shtoi se pushtimi nuk ishte objektivi, duke i bërë jehonë pretendimeve të Presidentit Vladimir Putin në një fjalim televiziv më herët të enjten.

“Askush nuk po flet për okupim, në këtë skenar kjo fjalë nuk është e zbatueshme”, tha Peskov.

“Ky është një operacion special. Nuk mendoj se është e nevojshme të shpjegoj asgjë këtu, sepse vetë Presidenti ka dhënë shpjegime shteruese.”

Në fjalimin e tij, Putin tha se kishte vendosur “të kryente një operacion të posaçëm ushtarak … për të mbrojtur njerëzit që janë nënshtruar abuzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit për tetë vjet”, duke përsëritur një pretendim të pabazë për Ukrainën e mbështetur nga separatistët rusë në rajonin e Donbasit.