zoom

Ekonomi

Standardet e shumëfishta të Bordit, çmimi i karburanteve sipas interesit të tregtarëve

Si asnjëherë më parë, Bordi i Transparencës u mblodh me urgjencë në orët e pasdites së kësaj të enjte për të përcaktuar çmimet e reja të karburanteve.

Nuk dihet se cila ishte urgjenca që detyroi Bordin të mblidhet jashtë orarit zyrtar të punës, por është fakt se prej orës 20 të ditës së sotme karburantet dhe përkatësisht nafta, benzina dhe gazi do të shiten më shtrenjtë.

Një mbledhje kjo që vjen vetëm 24 orë nga mbledhja e fundit, ku nafta u ul me 4 lekë.

Në fakt është bërë zakon tashmë që kur ka të bëjë me vendime për uljen e çmimit Bordi mblidhet shumë rrallë, ndërsa kur bëhet fjalë për rritje të çmimit ai mblidhet thuajse çdo ditë.

Një tregues ky që vlen për të kuptuar se presioni i tregtarëve të karburanteve është shumë i madh te qeveria, e cila nuk nguron ta mbledhë Bordin sa herë që ata e kërkojnë, ndërsa kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, që është ai i uljes së çmimeve, Bordi “harron” të mblidhet.

Por ajo që bëri përshtypjen në vendimin e sotëm të Bordit ishte pikërisht përpjekja për të justifikuar rritjen e çmimeve.

Që në hyrje të tij, Bordi përpiqet të justifikojë vendimarrjen e tij me faktin se karburantet janë rritur në bursën Platts të Mesdheut, ashtu si dhe kursi i këmbimit të dollarit.

Por vendimarrja e sotme e Bordit ka disa mangësi apo handikape që e bëjnë vendimin për rritjen e karburanteve të sforcuar.

“Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 29 Shtator 2022, janë si rezultat i levizjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran, ku rritja vjen për shkak të rritjes së faktoreve :

  1. Gazoil rritja në bursë +68 usd ton nga data 26 Shtator.

2.Benzina rritja në bursë + 60 usd nga data 26 Shtator.

3.kursi dollarit nga + 1.63 pikë nga data 26 Shtator kur ishte mbledhja e fundit e bordit”, thuhet në vendimin e Bordit.

Pra Bordi në vendimarrjen e tij i është referuar bursës Platts dhe kursit të këmbimit të dollarit të datës 26 shtator.

Një argument ky që nuk qendron, pasi sipas kësaj logjike i bie që sot në Shqipëri po tregtohet nafta e shitur në bursë tre ditë më parë.

Pra brenda tre ditësh tregtarët arritën të blejnë karburantin në bursë dhe ta sjellin me anije në Durrës dhe prej andej arritën ta shpërndajnë në të gjitha pikat e shitjes me pakicë.

Një gjë e tillë është e pamundur të ndodh, nëse kemi parasysh mënyrën sesi vepron tregu i karburanteve, jo vetëm në Shqipëri.

Madje në fillimet e kirizës që solli lufta në Ukrainë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku deklaronte se pas dy javësh do të mbërrinte një anije me naftë në Shqipëri, e blerë me një cmim më të lartë dhe mbi të gjitha me një kosto transporti shumë më të lartë sesa ishin mësuar tregtarët e karburanteve që atëherë.

Pra ministrja pranonte atëherë se në Shqipëri, si një treg i vogël i karburanteve vinte afërsisht një anije me naftë në afro 2 javë.

Pra kjo mjafton për të kuptuar se, logjika e përdorur sot nga Bordi se rriti çmimet pasi karburburantet u shitën më shtrenjtë në datën 26 shtator nuk funksionon.

Me siguri që karburantet e blera më datën 26 shtator do të mbërrijnë në vendin tonë nga mesi i tetorit.

Madje vet Bordi ka deklaruar më parë se në çmimet që ai përcakton për karburantet nuk merret parasysh çmimi në kohë reale në bursat ndërkombëtare, por ai i momentit të blerjes së tyre.

Ky argument është përdorur edhe nga kryeministri Edi Rama kohë më parë, kur deklaronte se çmimet e karburanteve vendoseshin mbi bazën çmimit që ishte blerë karburanti që ishte në depozita dhe jo ai i bursës.

Një tjetër gjë që nuk shkon në vendimarrjet e Bordit është përpjekja e tij për ta lidhur gjithmonë çmimin e karburanteve që shiten me pakicë me çmimin e naftës së përpunuara dhe jo atë krudo.

Ndërkohë që çmimi i karburantit të përpunuar përcaktohet gjithmonë nga çmimi i naftës krudo.

Prej të paktën tre javësh në të gjitha tregjet ndërkombëtare, përfshi bursën e Londrës dhe atë të Teksasit, çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar ka rënë nën 80 dollarë, duke mbërritur në nivelin e para luftës në Ukrainë.

Por edhe pse ka kaluar tre javë nga kjo rënie e konsiderueshme e çmimi të naftës krudo, nafta e përpunuar në Shqipëri vijon të mbetet nga më të lartat në rajon, duke u shitur me afro 2 euro për litër.