zoom

Futboll vendi

Stadiumi i ri i Kukësit drejt inagurimit, Duka: Çdo gjë është gati

Kukësi është shumë pranë inagurimit të stadiumit më të ri, në të cilin do të luajë skuadra verilindore pas shumë kohësh lëvizje në stadiumet e tjera në ndeshjen pritëse. Tashmë, ata do të përfaqësohen nga një subjekt i tyre, një vepër madhështore që vjen në sajë të financimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit me Armand Dukën në krye.

Kreu i FSHF-së, pas një inspektimi të gjerë brenda stadiumit, tha se gjithçka është gati për të mirëpritur tifozët kuksian, me përjashtim të fushës që pret klimën e mirë për tu ambjentuar në terren.

“Për mua kompania dhe bashkia në bashkëpunim me të gjithë kanë sfiduar kohën. Jetojmë në kohë të vështira, në kohë pandemie dhe kemi realizuar një vepër fantastike, që do të ishte e denjë për çdo qytet europian, jo vetëm në Kukës, për çdo lloj skuadre, me një kapacitet modest, por që i përgjigjet nevojave të Kukësit me të gjithë ambientet, më shumë se sa të domosdoshme do të thoja, për skuadrat.

Kushte fantastike për mediat, për spektatorët, ky është një objekt për t’u surprizuar që mund ta gjesh në këtë Shqipëri apo në Kukës. Me këtë rast do të doja t’i falënderoja të gjithë, do të doja të doja të falënderoja Kryetarin e Bashkisë Kukës dhe presidentin e nderit të klubit të Kukësit, për mbështetjen, për ndjekjen e vazhdueshme të punimeve, kompaninë që ka punuar me kualitet, të gjithë ata që janë marrë me projektin e stadiumit dhe padyshim qeverinë shqiptare dhe FSHF-në që kanë financuar këtë objekt të shkëlqyer për futbollin kuksian”, – tha Presidenti Duka.

Ai shtoi se projektet e federatës për të mbështetur futbollin në Kukës do të vazhdojnë me ndërtimin e disa fushave të tjera për të cilat puna sapo ka filluar. Gjithashtu, presidenti tha se inaugurimi i stadiumit do të jetë brenda një kohë të shkurtër.

““Projektet tona në Kukës nuk përfundojnë këtu, vazhdojnë me fushën pas stadiumit që e kemi kontraktuar tashmë, puna vazhdon dhe besoj që do të përfundojë muajin e ardhshëm bashkë me tapeti artificial dhe do të vazhdojmë me ndërtimin e një apo dy fushave me bar natyral. Besoj se me këto investime kemi siguruar të ardhmen e futbollit për të paktën 10 vitet e ardhshme në Kukës.

Në stadium çdo gjë është gati, të gjithë sistemet, pajisjet, çdo gjë perfekt bashkë ma parkimin. E vetmja gjë që pritet është fusha, që për arsye të temperaturave shumë të ulëta që kanë qenë kohët e fundit në Kukës nuk e kanë lënë që të zhvillohen rrënjët e barit. Pritet që temperaturat të rriten dhe besoj që në 10 ditë të jetë gati për t’u inauguruar”, përfundoi Duka në deklaratë për mediat.

Presidenti i nderit të Kukësit, Safet Gjici, pas vëzhgimit në themel të punës në stadium, falenderoi presidentin dhe federatën për investimin e tyre në ndërtimin e një stadiumi me standarde europiane, ku të gjithë kuksianët të kenë mundësinë të shohin më nga afër ndeshjet e skuadrës së tyre.

“Në radhë të parë dua të uroj Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për rizgjedhjen e tij me një mandat tjetër. Realisht këto vepra tregojnë që Presidenti dhe FSHF padiskutim që kanë mirënjohjen e popullit të Kukësit, por padiskutim që ka mirënjohjen e jashtëzakonshme Kryeministri Rama bashkë me qeverinë e tij, sepse ka qenë fjala e dhënë dhe e mbajtur për të bashkë financuar 50% me 50% me FSHF-në dhe u realizua, pra kjo vepër që për ne, për çdo kuksian ishte një ëndërr realizimi një stadiumi me këto standarde, që sot patëm nderin ta inspektojmë me Presidentin e FSHF-së.

Besoj që ky stadium i plotëson të gjitha standardet e UEFA-s për të luajtur jo vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe ndeshjet e kupave të Europës, kudo që Kukësi të marrë pjesë, por edhe ekipet kombëtare të moshave”, – deklaroi kryebashkiaku Gjici.

/zoom.al