zoom

In Zoom

SPAK, nën shembullin kroat të dështimit? Qytetarët nuk u besojnë më organeve të reja të drejtësisë

SPAK dhe shembulli kroat i dështimit/ Reforma në Drejtësi në Kroaci është në udhëkryq. 14 vjet pas miratimit, e përshëndetur si një sukses në atë kohë nga komuniteti ndërkombëtar, dyshimet janë rritur gjithnjë e më shumë nëse ajo ka sjellë rezultate apo e ka përkeqësuar situatën e korrupsionit në këtë vend anëtar të BE dhe të Eurozonës. 11 vjet më parë Kroacia dha një shembull të pashoq në rajon, me arrestimin e kryeministrit të dorëhequr, Ivo Sanader, për korrupsion.
Por sot, vendi e gjen sërish qeverinë e tij të përfshirë në skandale të mëdha të korrupsionit.

Institucionet e reja të drejtësisë dhe qeveria e kryeministrit Andrej Plenkoviç të partisë HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat), jo vetëm kanë dështuar për të frenuar korrupsionin, por një sërë ministrash janë përfshirë në afera të mëdha korruptive.

Andrej Plenkoviç i mbijetoi votimit të mosbesimit në Parlamentin kroat të premten e 3 marsit 2023, me 77 vota kundër rrëzimit të tij dhe 56 pro

Politika nuk ia doli ta rrëzojë qeverinë e përfshirë në skandale dhe tani kroatët pyesin nëse gjyqësori kroat do të veprojë në kohë që t’i mbyllë dosjet e disa ministrave përpara zgjedhjeve të vitit 2024, apo do t’i vonojë ato për të favorizuar qeverinë e Plenkoviç, duke treguar se reforma për institucione drejtësie të pavarur në fakt e ka bërë drejtësinë palë me pushtetin politik.

KORRUPSIONI GODITET NGA BE, JO NGA INSTITUCIONET E REJA TË DREJTËSISË

Që nga qershori 2021, Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) hapi degët e saj në 22 vende të BE-së, duke përfshirë një degë në Kroaci. Qëllimi i tij kryesor është të monitorojë, gjurmojë dhe hetojë shpenzimet e fondeve të BE-së, që i jepen një vendi dhe organizatave të tij si fonde.

Kroacia ka një organ antikorrupsion, USKOK (Zyra për Shtypjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) të bashkangjitur pranë Zyrës së Prokurorit të Shtetit (DORH).
“Por si një njësi operacionesh speciale që merret me të gjitha krimet, përveç mashtrimit dhe korrupsionit që lidhet me fondet e BE-së, të cilat i heton EPPO, USKOK ka qenë më shumë si një tigër pa dhëmbë”, – thotë shkrimtarja Ina Vukic.
“Skandalet e korrupsionit që nuk përfshijnë fondet e BE-së gjithashtu vazhdojnë të shfaqen si kërpudha pas shiut”,– vijon ajo .

Skandali më i spikatur i korrupsionit është hetuar nga Zyra e Prokurorit Europian, EPPO, në dhjetor 2021. Ai përfshin një çështje 1.3 milionë euro që çoi në padi ndaj ish-ministres së qeverisë për fondet e BE-së dhe zyrtarëve të lartë të partisë konservatore në pushtet HDZ, Gabrijela Zalac dhe tre nga bashkëpunëtorët e saj.
Zalac, drejtori i Agjencisë Qendrore të Financave dhe Kontraktimit, Tomislav Petric, dhe dy biznesmenë, u kapën si pjesë e operacionit “Softëare” të kryer nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) në Kroaci.

Saga e procedurave korruptive të Zalac përparon, duke zbuluar detaje që mund të implikojnë edhe kryeministrin Andrej Plenkoviç në marrëveshje të dyshimta.

Një zyrtar tjetër i lartë i hetuar së fundmi nga EPPO është ish-ministri i bujqësisë Tomislav Tolusic, i cili u arrestua në korrik 2022 në një hetim mbi parregullsitë e dyshuara mbi rreth 600,000 euro në fondet e BE-së që ai shpenzoi për biznesin e tij privat të prodhimit të verës.

Vetëm pasi EPPO veproi, Zyra e Prokurorit të Shtetit/DORH ngriti një aktakuzë kundër tre ish-ministrave të tjerë në qeverinë e Andrej Plenkoviç; ministrin e Transporteve Darko Horvat, ish-zëvendëskryeministrin, Boris Millosheviç dhe ministrin e Punës dhe Politikave Sociale, Josip Aladrovic, si dhe katër të dyshuar të tjerë në dy degë të hetimit të nisur për shkak të paligjshmërive të supozuara me stimuj të caktuar.

QYTETARËT: DREJTËSIA E RE, JO E PAVARUR

“Nëse e etiketojmë korrupsionin si pisllëk, atëherë partitë politike qeverisëse në dy dekadat e fundit në Kroaci kanë qenë djepi i saj! Pavarësisht ideologjisë së tyre politike dhe dallimeve operacionale, ata të gjithë ndajnë gjuhën e përbashkët për të mos bërë shumë për të ndëshkuar dhe ndaluar korrupsionin që është i përhapur në të gjithë sektorët e administratës publike”, – shkruan Ina Vukic.

Një pjesë e madhe e publikut në Kroaci aktualisht po qëndron në zgrep, duke pritur nëse gjyqësori kroat do të zvarritet në shqyrtimin e këtyre aktakuzave deri në përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024!

Vetëm në vitin 2022, hetimet e EPPO-së në Kroaci çuan në tetë aktakuza dhe gjashtë vendime gjyqësore dhe në ngrirjen e rreth 400,000 eurove në asete.

Qytetarët kroatë dorëzuan deri në 162 raporte në EPPO për dyshime për vepra penale që nuk janë në të vërtetë brenda juridiksionit të zyrës së prokurorit evropian.

Ky është numri më i madh i raporteve ose pretendimeve për mashtrim që EPPO ka të ngjarë të ketë marrë nga çdo vend anëtar.

“Kjo ndër të tjera tregon për një fakt shqetësues se populli kroat është gjithnjë e më i frustruar dhe i irrituar nga mosveprimi ose pavëmendja alarmante e gjykatave dhe gjyqësorit vendas. Për më tepër, kjo ka çuar në një rritje alarmante të shprehjeve publike të mosbesimit në gjyqësorin kroat, shoqëruar me konsensusin se gjykatat nuk janë aspak të pavarura nga qeveria siç duhet të jenë. Fakti që qytetarët kroatë po zgjedhin të raportojnë aktivitete të dyshimta korruptive në EPPO, edhe pse subjektet e raporteve të tilla nuk janë brenda juridiksionit të EPPO-së, tregon një nivel shqetësues dëshpërimi brenda popullatës në përpjekje për të arritur drejtësinë dhe për të çrrënjosur korrupsionin” – thekson shkrimtarja Ina Vukic.

Sipas raportit të saj vjetor 2022, Prokuroria Evropiane/Zyra e EPPO-së në Kroaci po heton aktualisht një mashtrim prej 313 milionë eurosh të lidhura me paraqitjen e 23 procedurave gjyqësore në Kroaci vitin e kaluar, për përvetësim të 313.6 milionë eurove të parave evropiane në Kroaci.

Vitin e kaluar Kroacia ishte ndër vendet e implikuara në hetimin më të madh të vjedhjes dhe korrupsionit të parave publike të mishëruara në të ashtuquajturin “Operacioni Admiral” në lidhje me një taksën e TVSH. Dëmet vlerësohen në 2.2 miliardë euro dhe çështja përbën mashtrimin më të madh të TVSH-së, të hetuar ndonjëherë në BE.

Ky aktivitet kriminal është i përhapur edhe në Hungari, Irlandë, Suedi dhe Poloni, së bashku me vende të treta duke përfshirë Shqipërinë, Kinën, Mauritius, Serbinë, Singaporin, Zvicrën, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe , Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

“Sot, në vitin 2023, zbatimi i ligjeve të tilla është patetik ose kryesisht inekzistent në Kroaci. Auditimet dhe kontrollet në vend nuk janë plotësisht të pavarura, kontrollet dhe balancat që kanë të bëjnë me grantet dhe financimet qeveritare praktikisht nuk ekzistojnë siç synon koncepti në demokracitë funksionale, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për përvetësim dhe vjedhje dhe mjete të tjera korruptive”, – shkruan Ina Vukic.

14 vjet pas Reformës në Drejtësi, Kroacia është zhytur thellë në korrupsion. Organet e reja të hetimit kanë dështuar. Siç tregojnë të dhënat e mësipërme, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme nuk kanë bërë asgjë në krahasim me Zyrën e Prokurorit Europian, e cila është bërë një zyrë reference për qytetarët e ndershëm kroatë, të cilët, nuk i besojnë më asaj që u trumpetua si reforma që do të çrrënjoste korrupsionin në një vend që nga korrupsioni ka lënguar që prej kohës së komunizmit.

SPAK, NËN SHEMBULLIN KROAT TË DËSHTIMIT?

Me reformën e saj në drejtësi, Kroacia u bë shembull në rajon dhe në të gjitha vendet aspirante për t’u bërë anëtarë të BE. Arrestimi i ish -kryeministrit Ivo Sanader u duk se e përmbysi përfundimisht paprekshmërinë politike të të korruptuarve përballë drejtësisë. Nën shembullin kroat, Shqipëria ka bërë një prej reformave më të thella në Sistemin e Drejtësisë, të miratuar me 100% të votave të deputetëve në vitin 2015.

Por prej formimit të tyre, institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë mundur t’i japin publikut drejtësinë e pritur. SPAK ka çuar pas hekurave deri tani dy -ish ministra të qeverisë Rama dhe një deputet: Saimir Tahirin nën akuzën për shpërdorim të detyrës në lidhje me trafikun e drogës, Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon për Inceneratorët. Por si hetimet ashtu edhe denimet janë konsideruar të çala, ndërsa publiku po sheh gjithnjë e më shumë se korrupsioni gëlon në çdo zyrë ku ata përballen, siç shkruan edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit.

SPAK ka prej 2 vjetësh në tryezë dosjen e inceneratorit të Tiranës, një prej skandaleve më të mëdha, sipas opozitës. Por dosjen, që opozita thotë se ka prova flagrante kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, e ka mbuluar pluhuri.

“SPAK-u i partisë, – denoncon PD – është nën kontrollin e plotë të kryeministrit Edi Rama.”

“Aty edhe prokurorët kanë nisur të personalizohen, njëri i Damianit, tjetri i këtij. Tani janë bërë me prokurorë personalë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Është një situatë dramatike”, -denoncon Sali Berisha.

Qytetarët shohin se si drejtorë, zëvendësministra, ministra, deputetë e qeveritarë të tjerë i kanë shtuar pasuritë në mënyrë marramendëse. Një ish -drejtoreshe të kryeministrisë dhe të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosit, iu gjetën 520 mijë euro në shtëpi. Nëse nuk do të ishte për një denoncim të pastrueses së saj, si skemë për të fajësuar ish -bashkëshortin e zyrtares, paratë nuk do të ishin zbuluar kurrë nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit e ndryshoi në fund të vitit kreun e saj. Tre vjet në këtë post Arben Kraja u akuzua se zvarriti hetime për çështje të rendësishme.

Tani është radha e Altin Dumanit. Ai është provuar se ka kontakte me ministrin e drejtësisë, Ulsi Manja, me të cilin edhe është fotografuar në një kafene. I zgjedhur në këtë detyrë më një platformë kundër korrupsionit, ai ende nuk ka dhënë prova se e ka bërë SPAK-un të pavarur dhe të vendosur për të goditur zyrtarët e lartë.

Në mungesë të reagimit të SPAK, dosjet më të nxehta hetimore, siç janë ato të inceneratorëve, janë përgatitur në detaje nga opozita, e cila ka marrë rolin e një hetuesi të mirfilltë pëpara një drejtësie që duket se ka në këmbë çizme prej çeliku.

Mediat kanë denoncuar vazhdimisht kontrata e koncesione të dyshimta, me çmime të fryra apo me hapësira ligjore të dukshme për pastrim parash, siç është rasti i Portit të Durrësit. Por përballë betejës për të bërë drejtësi, SPAK duket se po zgjedh shembullin mbi të cilin u ngrit, atë të organeve të reja të drejtësisë në Kroaci, të cilave populli kroat u ka kthyer shpinën, sepse janë të pabesueshme. /Zoom.al