zoom

In Zoom

Skandali me plehrat/ Veliaj vijon të paguajë të kërkuarit nga drejtësia për punë të pakryera

Në janar të këtij viti mediat publikuan lajmin se autoritetet austriake kishin ndaluar Stela Gugallen, pronaren e kompanisë “Albtek Energy”, pasi ndaj saj kishte një urdhër arresti nga Prokuroria e Posaçme për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave për rastin e inceneratorit të Elbasanit, të ngritur për të trajtuar plehrat e këtij qyteti dhe për të prodhuar energji prej tyre.

Nga hetimet ka rezultuar se, Stela Gugallja në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy”, dhe në bashkëpunim me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin kanë korruptuar zyrtarët e ministrisë së Mjedisit për fitimin e koncensionit të inceneratorit.

Këta persona, i kanë dhënë në total 3.6 milionë euro ish-ministrit të Mjedist Lefter Koka me qëllim marrjen e lejes për ndërtimin e Inceneratorit të Elbasanit.

Por pavarësisht se ishte në kërkim prej një viti autoritetet shqiptare duket se nuk arritën të bindin institucionet homologe austriake dhe të bënin ekstradimin e Gugalles drejt Shqipërisë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të.

Situata është akoma më e paqartë për Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, dy pronarët e tjerë të kompanive që zotërojnë inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Ata vijojnë të jenë në kërkim prej gati 15 muajsh ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë mbi ta asnjë të dhënë, ndonëse opozita vijon të këmbëngulë se ata ndodhen brenda vendit.

Prej dhjetorit të vitit 2022 kur u bë arrestimi i ministrit Lefdter Koka për skandalin e inceneratorëve, asnjëri prej impianteve tyre nuk është vënë në punë.

Përjashtim bën ai i Elbasanit i cili zhvilloi disa ditë aktivitet, por me marrjen në administrim nga shteti edhe ai stopoi veprimtarinë e tij. Për më tepër, ndaj inceneratorit të Elbasanit një bankë e nivelit të dytë ka kërkuar vëninen nën sekuestro, pasi ai është lënë si peng si kolateral nga “Albtek Energy” për 4.7 milionë dollarë.

Por sikur të mos mjaftonte fakti që Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë në arrati dhe që mbi të gjitha asnjë prej inceneratorëve nuk është në punë, qeveria vijon t’i paguajë ato duke respektuar çdo detyrim kontraktual të lidhur para se ata të shpalleshin në kërkim.

Dhe nuk bëhet fjalë për pagesa të vogla. Deri tani 3 inceneratorët kanë marrë 60 milionë dollarë pagesa nga shteti, veç kredive nga bankat duke lënë impiantet si kolateral, të cilat, sipas kontratës do të duhet t’i kalojnë shtetit në pronësi pas përfundimit të koncesionit.

Kështu, të shpallurit në kërkim për inceneratorët që nuk djegin asnjë mbeturinë, sepse nuk ekzistojnë, marrin nga shteti 2.4 milionë euro në muaj apo 28.8 milionë euro në vit.

Për inceneratorin e Tiranës situata është më skandaloze.

Bashkia u paguan kompanive të Gugalles dhe Zotos 29 euro për çdo ton mbetje që shkarkohet në Sharrë. Kjo pagesë bëhet sikur plehrat digjen në impiant çdo ditë, por në të vërtetë inceneratori nuk është ndërtuar ende.

Bashkia i bën pagesat rregullisht prej gati tre vitesh kompanisë që ka marrë përsipër ndërtimin e inceneratorit.
Por nëse inceneratori nuk funksionon dhe plherat nuk digjen, kompania e Klodian Zotos do të duhet të merrte vetëm 12 €/ton.

Teksa mediat nuk lejohe të hyjnë në territorin e landfillit të Sharrës, (përveç atyre që kanë marrë pagesa nga inceneratorët) opozita ka provuar me pamje filmike se plehrat nuk digjen, por mbulohen me dhe, njësoj siç ka ndodhur historikisht në këtë landfill.

Opozita thotë se në Tiranë afera e inceneratorit të Tiranës shkon deri te kryebashkiaku Erion Veliaj.
SPAK ka kryer veprime e arrestime për Elbasanin e Fierin, por për Tiranën ende asgjë.

Përtej skandalit me pagesat e një shërbimi që nuk kryhet, pyetja që shtrohet në këtë rast është se ku shkojnë paratë që i paguan qeveria dhe bashkia e Tiranës për inceneratorët, ndërkohë që pronarët e tyre janë në arrati dhe kur të gjitha llogaritë bankare të tyre janë të bllokuara?

Në rastin e Elbasanit, prokuroria provoi se ai kishte ndërtuar 8 kompani fiktive që merrni para nga inceneratori për punë të pakryera.
Në rastin e Tiranës, kompania e inceneratorit është regjistruar në offshore dhe ndjekja e parave është thuajse e pamundur, pasi ato fshihen guackë pas guacke.

Provat se inceneratorët janë një mega-aferë korruptive sa vijnë e bëhen më të dukshme.
Presioni ndaj SPAK është rritur, por prokurorët duken të avashtë në veprime kur bëhet fjalë për inceneratorin e Tiranës, që sipas opozitës, është pjesa nënujore e ajsbergut të korrupsionit me këto projekte. / Zoom.al